Granatë në oborr, nuk ka të lënduar
Një granatë dore është hedhur në oborrin e një shtëpie në Shkozet, ndërsa motivet kanë mbetur ende të pazbardhura. Ngjarja ka ndodhur të dielën në lagjen 14 të Durrësit, por ende nuk janë përcaktuar pistat e saj, ndërkohë që nuk ka dëme. Një gjë e tillë ka ngjallur panik te familja dhe pasiguri te banorët përreth. Hedhja në oborr e granatës, që për fat është neutralizuar nga rënia në kazan, dyshohet të jetë një formë paralajmërimi, po në kushtet kur familjarët mohojnë të kenë konflikte me njeri, çështja është vështirësuar. Hetuesit janë përqendruar edhe në zbardhjen në rrugë të tjera të marrëdhënieve a ndonjë konflikti të mundshëm që mund të mbahet i fshehur nga vetë familjarët e kërcënuar. Ndërkohë, nuk përjashtohet as mundësia e një veprimi të papërgjegjshëm të ndokujt për të përhapur panik në një familje çfarëdo. Burimet policore bënë të ditur se kishin marrë njoftim se në lagjen 14, e pikërisht në oborrin e banesës së shtetasit A. K., ishte hedhur paraditen e së dielës një sasi lënde plasëse. Në vendngjarje shkoi menjëherë grupi hetimor, në përbërje të të cilit kishte edhe specialistë antieksplozivë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se natën e vonë të një dite më parë, rreth orës 22.30, persona të paidentifikuar kishin hedhur një granatë dore, e cila kishte rënë në një kazan trali, që ndodhej brenda rrethimit të oborrit. Nga marrja në pyetje e kryefamiljarit dhe veprimet e para rezultoi se shtetasi A. K. nuk kishte konflikt me njeri, gjë që e ka vështirësuar zbardhjen e ngjarjes. Burimet thanë se vazhdon puna për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe saktësimin e motiveve të saj, ndërkohë që materialet procedurale për veprat penale të kanosjes dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake iu kaluan për ndjekje organit të akuzës durrsake.