E Diel, 1 Nëntor 2026

Barcelona i trembet largimit të talentit Xhovani dos Santos

Në horizontin e Barcelonës shfaqen probleme të reja. Në pritje për të mësuar diçka më shumë për të ardhmen e Ronaldinjos, tashmë në dyshim është edhe futbollisti që është cilësuar si pasardhësi i brazilianit. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Xhovani dos Santos, me baba brazilian, kombësi meksikane, pasaportë komunitare dhe kontratë me klubin katalan që skadon më qershor 2008. Nëse talenti do të vendoste të largohej klauzola aktuale e prishjes së marrëveshjes detyron klubet e tjera të paguajnë 30 milionë euro. Situata është mjaft e vështirë për t‘u menaxhuar, pasi djali i Zizinjos ka cilësi të padiskutuara. Gjithçka është bërë edhe më e vështirë nga ngjarja më e fundit: Dos Santos vendosi të ndryshojë menaxher dhe që prej 1 nëntorit për interesat e tij do të kujdeset izraeliti Pini Zahavi. Ky i fundit ka lidhje të jashtëzakonshme, mbi të gjitha në futbollin anglez dhe është cilësuar si krahu i djathtë i padronit të Çelsit, Roman Abramoviç. Gjatë fundjavës së kaluar, Zahavi ishte në Barcelonë për të folur me Xhovanin (dyshimet janë se menaxheri ka tentuar të bisedojë edhe me Ronaldinjon). Objektivi ishte që të takohej me drejtorin e përgjithshëm të klubit "blaugrana", Çiki Begiristan për kontratën e fantazistit meksikan, por biseda nuk dha rezultatin e dëshiruar. "Folëm rreth Xhovanit, por nuk u vendos asgjë", deklaroi Zahavi për spanjollen "Sport". "Jemi në mesin e sezonit dhe do të pres të shohim çfarë do ndodhë, pasi ka edhe disa muaj kohë. Nuk e di nëse diskutimet do të jenë të thjeshta". Në Barcelonë ishin përhapur fjalët se pak kohë më parë Dos Santos kishte firmosur me klubin deri në vitin 2012: "Jo! Një marrëveshje e tillë nuk ekziston, ka vazhduar më tej menaxheri, kontrata është e shkurtër. Nëse futbollisti do të kishte firmosur deri në vitin 2012 nuk kishte arsye përse të udhëtoja deri këtu dhe të flisja me klubin". Ndërkohë për Ronaldinjon ai tha: "Nuk erdha të flisja me të". Prej kohësh Çelsi dhe Mançester Junajted janë shfaqur të interesuara për Xhovani dos Santos, madje mes të interesuarave ishte përmendur edhe emri i Realit të Madridit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›