Temperaturat e ulëta, në Tiranë vdes një i moshuar
Gjendet i vdekur një i moshuar, i cili mendohet se ka ndërruar jetë nga një atak kardiak i ndikuar nga temperaturat e ulëta. Rasti është shënuar në Tiranë, ku për shkak të kohës së ftohtë është shënuar edhe një viktimë, identifikimi i të cilit nuk është mundësuar nga policia. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dje, rreth orës 07:30, një person është gjetur i vdekur në rrugën "28 Nëntori". Trupi i pajetë është gjetur pikërisht në trotuar, pranë një stacioni autobusësh, pas Bashkisë së Tiranës. Kalimtarët e mëngjesit kanë vënë re trupin e pajetë dhe menjëherë kanë njoftuar shërbimet e policisë. Me të marrë këtë njoftim, uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe një grup hetimor është ngritur nga seksioni Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit. Sipas të dhënave të para hetimore, viktima është i moshës 50-55 vjeç dhe është me gjatësi rreth 172 centimetra. Veshja e tij është me rroba të vjetra dhe fillimisht u mendua nga policia se ai mund të jetë ndonjë endacak. Ndërkohë, trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës me qëllim zbulimin e shkakut të vdekjes së tij. Gjatë ekspertizës së kryer nga mjekësia ligjore, rezultoi se vdekja e viktimës së gjetur kishte ardhur si rezultat i një ataku kardiak, i ndikuar nga ulja e temperaturave të ditëve të fundit. Ndërkohë, burimet nga mjekësia ligjore bënë të ditur se vdekja e tij kishte ardhur disa orë para gjetjes së trupit dhe mendohet rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm. Në lidhje me identifikimin e këtij personi, policia deklaroi se po bën verifikimet edhe te lista e personave të larguar nga banesa. Por, deri mbrëmjen e djeshme nuk është realizuar identifikimi i tij. Nga të dhënat e policisë, ky është ndër viktimat e para të të ftohtit, që ka ndërruar jetë gjatë këtij dimri në Tiranë. Vitet e tjera, njerëzit që kanë ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta kanë qenë kryesisht endacakë, të cilët jetonin jashtë nëpër rrugët e Tiranës, ose në godina të braktisura.
Parashikimi i motit: temperatura
të ulëta deri të enjten
Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin, duke nisur prej më shumë se 10 ditësh, do të vazhdojnë edhe në fillimin e kësaj jave.
Dje parashikuesit e motit kanë regjistruar ditën më të ftohtë. Temperaturat janë ulur nga -5 gradë deri në 15 gradë Celsius, temperaturë kjo e regjistruar në qytetin e Korçës. Termometri ka shënuar -5 gradë në qytetet e Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Gjirokastrës. Të njëjtat temperatura të ulëta do të vazhdojnë të mbizotërojnë sot dhe nesër. Vetëm në fundjavë priten që temperaturat të rriten, ndërsa sinoptikanët kanë parashikuar një mot me vranësira, duke nisur nga dita e enjte. Sipas Institutit të Hidro-Meteorologjisë, vendi ynë aktualisht ndikohet nga fusha barike e presionit atmosferik të lartë. Masat ajrore që qarkullojnë janë të ftohta dhe relativisht të thata. Moti gjatë ditës së sotme parashikohet të jetë me kthjellime dhe prania e vranësirave do të vijë duke u shtuar gjatë pjesës së dytë të ditës. Këto vranësira do të jenë më të dendura në veri-verilindje, lindje-juglindje të vendit.
Sipas parashikimit, era do të fryjë me shpejtësi 1-5 metra në sekondë në drejtimin veriperëndim-juglindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 2-3 ballë. Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në qytetet kryesore parashikohen të jenë mesatarisht këto: në kryeqytet nga -5 deri në 5 gradë Celsius.
Temperaturat më të larta priten të shënohen në Peshkëpi, Kukës, Korçë. Veç stinës së ftohtë në të cilën ndodhemi, vendi ynë është nën presionin atmosferik të rrymave të ftohta të Evropës Veriore. Këto rryma janë të ftohta dhe të thata. Sipas sinoptikanëve, gjatë ditëve në vazhdim, në pjesën e dytë të javës temperaturat do të rriten, pritet të ketë mot me vranësira dhe reshje të cilat do të zbusin temperaturat e ulëta që kanë përshirë vendin tonë. Sipas mjekëve, në të tilla temperatura këshillohet regjimi në shtëpi, konsumimi i lëngjeve të ngrohta për të gjithë fëmijët dhe të moshuarit. Për pacientët që vuajnë nga zemra këshillohet qëndrimi në ambiente të ngrohta, në temperatura konstante. Në raste shqetësimesh, paraqitje për vizitë te mjeku specialist. Dje, në një nga ditët më të ftohta të vitit, kur në Korçë temperaturat janë regjistruar -14 dhe -15 gradë Celsius, i ftohti ka ngrirë rrugët që edhe nën efektin e rrezeve të diellit e kanë pasur shumë të vështirë të shkrijnë. Ulja e temperaturave me disa gradë Celsius do të nisë vetëm ditën e enjte. Ndërsa sot dhe nesër, sipas parashikimeve të sinoptikanëve, do të kemi të njëjtat temperatura, të njëjtën erë të ftohtë dhe të njëjtat ngrica në rrugë.