E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi merr mandatin si Kryeministër dhe nis negociatat

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dha dje mandatin kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, për krijimin e qeverisë së re të Kosovës dhe kërkoi nga ai që sa më shpejt që është e mundur të formojë ekzekutivin e vendit. Sejdiu, po ashtu, falënderoi qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në mënyrë shumë demokratike. Nga ana tjetër, mandatari për Kryeministër, Hashim Thaçi, falënderoi Presidentin Sejdiu për nominimin e tij për shef të ekzekutivit të vendit dhe, nga ana tjetër, falënderoi edhe qytetarët e Kosovës për besimin që i kanë dhënë në këto zgjedhje. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, nisi dje zyrtarisht negociatat për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Ai u ka dërguar ftesa për takime kryetarit të Lidhjes Demokratike, Fatmir Sejdiu, dhe atij të Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, në të cilat bën thirrje për unitet dhe lënie anash të dallimeve në interes të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Për të qeverisur qetësisht, Hashim Thaçit i duhen edhe të pakën 24 deputetë. Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 vende, nga të cilat 20 janë të rezervuara për minoritetet. PDK-ja ka fituar 37 deputetë, LDK-ja 25 deputetë, AKR-ja 13, LDD-ja e Dacit 11, ndërsa AAK-ja 10. Serbët do të kenë 10 ulëse dhe asnjëri prej deputetëve të tyre nuk i kalon 200 votat e marra. Anëtar i Kuvendit të Kosovës do të bëhet edhe Mihailo Scepanoviç i Partisë Popullore Serbe, me numrin më të vogël të votave, vetëm 31 gjithsej. Nëse LDK-ja do të refuzoja, siç janë të gjitha gjasat, atëherë Thaçi pritet të qeverisë me AKR-në e Pacollit dhe dhjetë deputetët e minoriteteve, por nuk do të ketë një qeveri të fortë. Ka shumë vëzhgues, të cilët besojnë për një pakt të fshehtë Thaçi-Haradinaj, që jo vetëm do të forconte mazhorancën, por edhe do të rikthente së bashku dy prej figurave më kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë qenë aleatë për një periudhë të gjatë kohe, por që u ndanë vetëm gjatë periudhës kur AAK u bashkua në aleancë me LDK-në, duke rrëzuar qeverinë "Rexhepi", në mënyrë që Kryeministër të zgjidhej Haradinaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›