Qeveria serbe hap zyrë shtetërore në Mitrovicën e veriut
Qeveria e Beogradit ka ndërmarrë dje një provokacion të hapur ndaj administratës së OKB-së në Kosovë. Ministri serb, Sllobodan Smarxhiç, përuroi një zyrë të ministrisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, pikërisht në ditën kur është përmbyllur zyrtarisht periudha 120-ditëshe e bisedimeve shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Në Prishtinë, ky veprim është cilësuar si hap provokues. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecer, tha se ka njoftuar Kombet e Bashkuara dhe Grupin e Kontaktit me këtë veprim, që, sipas tij, është shkelje e Rezolutës 1244. "UNMIK-u është i mendimit se një veprim i tillë nuk është në pajtim me kornizën kushtetuese të Kosovës dhe kjo është një shkelje e Rezolutës 1244...", tha shefi i UNMIK-ut, duke shtuar se administrata ndërkombëtare në Kosovë tani do të presë udhëzimet nga Nju-Jorkun dhe gjithashtu edhe konsultimet me Grupin e Kontaktit.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha ndërkaq se veprimi i djeshëm i ministrit serb, Sllobodan Samarxhiq, është vazhdim i provokimeve të qeverisë së Beogradit në një kohë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. "Ne nuk kemi dashur asnjëherë t‘i lidhim zhvillimet në Serbi me zhvillimet në Kosovë, por fatkeqësisht kjo ka ndodhur dy herë. Mendojmë se janë shterrur të gjitha arsyet dhe të gjitha qasjet, që në një formë apo tjetër, dëshirojnë ta prolongojnë procesin", tha ai. Presidenti Sejdiu tha se pavarësisht veprimeve të Beogradit nuk do të ketë shkallëzim të situatës në Kosovë, duke theksuar se një gjë të tillë do ta dëshironin vetëm kundërshtarët e pavarësisë. Ai tha se Kosova tashmë ka dhënë përgjigjen e saj për pavarësi, me pjekurinë e dëshmuar politike dhe qytetare.