E Diel, 1 Nëntor 2026

Thahet Ohri, vetëm 7 m3 ujë në drejtim të Drinit

Vetëm njëra portë e Drinit në Strugë mbetet në funksionim edhe për pak ditë të tjera

Situata në liqenin e Ohrit po përsërit nivelin e ujit të vitit të kaluar në periudhën gusht-shator. Sipas ekspertëve të Institutit Hidrometeorologjik në Ohër, aktualisht niveli i ujit është në kuotën 693,20 cm e cila është larg kuotës minimale, vetëm 10 cm. Drejtoria e Çështjeve Hidrometeorologjike, e cila merret me nivelin e ujit dhe kryen matje të herëpashershme në liqenin e Ohrit, thotë se po vazhdoi kjo gjendje pa reshje, gjatë muajit shtator do të mbyllen të gjitha portat e lumit Drin në Strugë. Momentalisht qëndron e hapur vetëm njëra portë e Drinit, nga e cila rrjedh vetëm 7 m3 ujë në sekondë, e cila shërben për sistemin energjetik në Maqedoni dhe Shqipëri. Sipas shefit të Institutit Hidrobiologjik në Ohër, Zdravko Kërstanovski, i cili ka thënë për gazetën “Shekulli” se kemi lënë vetëm këtë rrjedhje prej 7 m3 ujë në sekondë për momentin, por kjo gjendje alarmante e thatësirës do të sjellë mbylljen krejt të portave, pasi pasojat do të jenë katastrofale në të gjithë ekosistemin. Siç shihet, ka shpjeguar ai, në afërsi të portave të Drinit janë krijuar nga thatësira e tejzgjatur “ishuj” dhe për rrjedhojë, kjo do të na detyrojë që të mbyllim krejt portat. Kështu, orët e kufizimit të energjisë elektrike në Shqipëri do të fillojnë që të shtohen dhe errësira do të burojë edhe nga mbyllja e Drinit të Zi, një nga furnizuesit e hidrocentraleve tona në veri të vendit.

Ekziston një marrëveshje dypalëshe që në kohën e ish-Federatës të Jugosllavisë dhe shtetit shqiptar, ku parashikohet që ish-Jugosllavia e asaj kohe dhe sot pjesa e Maqedonisë, është e detyruar që të hapi portën e Drinit dhe prurja e ujërave të mos jetë më e vogël se 30 m3 ujë në sekondë .Por në marrëveshje nuk përfshihet thatësira dhe ulja e nivelit të liqenit në pikën kritike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›