E Diel, 1 Nëntor 2026

Thatësira rikthen krizën e vitit 2007

Prurjet në liqenin e Fierzës nuk kalojnë 20 metër/kub ujë në sekondë, thatësira rrezikon furnizimin

Burimet e vetme mbeten reshjet që sipas parashikimeve të meteorologëve, do të mungojnë edhe gjatë muajit shtator

Liqeni i Fierzës vazhdon që të humbasë kuotë, ndërsa reshjet e munguara kanë bërë që prurjet të kapin një rekord historik, që është 2 herë më i pakët se edhe e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pas një pranvere me reshje të bollshme dhe importit në sasira të mëdha të energjisë gjatë verës, KESH duket se është në pritje të reshjeve që, nëse mungojnë edhe gjatë shtatorit, rrezikojnë kthimin e një krize të re energjitike. Asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket linjave të transmetimit dhe kapaciteteve të tjerë në vend.

Kapacitetet e munguara

Pas një lumi premtimesh jemi në dimrin e katërt me qeveri të re, por asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket kapaciteteve energjitike të vendit. Nëse shiu mungon, atëherë nuk mund të importojmë më shumë seç kemi importuar në vitin 2007, ku vendi u zhyt në errësirë. Javët në vazhdim duket se do jenë decizive në fatin e këtij dimri, për sa i përket furnizimit me energji. Parashikimi meteorologjik, nga ana tjetër, bën të ditur se muaji shtator do jetë i nxehtë dhe i thatë, duke e bërë më të vështirë situatën e furnizimit me energji.

Burime nga HEC-i Fierzë bëjnë të ditur se edhe pas kufizimit të prodhimit, niveli i ujit ka rënë me rreth një metër gjatë javës së parë të këtij muaji. Me rënien e nivelit të ujërave, bie edhe kapaciteti prodhues e hidrocentralit. Burime nga HEC i Fierzës kanë bërë të ditur se prurjet e ujit në basenin e këtij hidrocentrali janë vetëm 22 metër/kub ujë në sekondë, duke shënuar kështu një rekord historik për këtë periudhë. Vitin e kaluar, kur thatësira ishte e jashtëzakonshme, prurjet nuk kishin zbritur më shumë se në 40 metër/kub ujë në sekondë. Prodhimi thuajse me kapacitet të plotë i HEC-it Fierzë, ku në punë ishin tre agregate, ka bërë që niveli i ujërave në këtë liqen të bien 16 cm në ditë, ndërsa niveli ka zbritur në kuotën e 276 metrave, ose vetëm 6 metra më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shtatorin e kaluar, niveli i Fierzës qe në kuotën e 262 metrave. Pjesa më e madhe e energjisë prodhohet në vend. Nga hidrocentralet prodhohen 10.7 milionë kilovat/orë energji në ditë, ndërkohë që 5.4 milionë kilovat/orë të tjerë importohen. Por me reduktimin e prodhimit në HEC-in e Fierzës, prodhimi vendas ulet me 2.5 milionë kilovat/orë. Një agregat në HEC-in e Fierzës prodhon 125 megavat/orë energji elektrike, kur niveli i ujit në liqenin e Fierzës ndodhet mbi kuotën e 260 metrave. Ndërkohë Zyra e Shtypit në Korporatën Elektroenergjitike të Kosovës ka bërë të ditur se KEK-u është duke i kthyer Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare 130 gigavat/orë energji elektrike, borxh ky i grumbulluar gjatë periudhave kur Kosova u përball me probleme me furnizimin me energji elektrike. "Gjatë këtij muaji, ne nuk parashohim që të marrim energji elektrike nga KESH-i”.

Prodhimi i lartë energjie

Pavarësisht se KESH ka deklaruar se ka importuar sasira të mëdha energjie për të mbajtur rezervat në HEC-e për periudhën e thatësirës, shifrat tregojnë se 6-mujori i parë i këtij ka shënuar rekord prodhimi. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend në 6 muajt e parë të vitit 2008 u rrit me 22.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, burimet e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe u rritën me 13.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ndërkohë, prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet u rrit me 26.3% më shumë, duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike, dhe që në 6 muajt e parë 2008 zuri 98% të prodhimit total në vend. Humbjet në total të energjisë në rrjet në 6-mujorin e parë të këtij viti llogariten në masën 33.3% të energjisë disponibël për përdorim. Sipas burimeve zyrtare të INSTAT, humbjet gjatë kësaj periudhe ruajtën pothuajse të njëjtin nivel, me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Pjesën kryesore e zunë humbjet në sistemin e shpërndarjes, në masën 91% të sasisë së energjisë të humbur në rrjet. Ndërkaq, importi, duke përfshirë dhe këmbimet e energjisë elektrike, rezulton me rritje në masën 2.6%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›