Elbasan, zihen dy mësuese brenda në klasë
Dy mësuese fshati rrihen me njëra-tjetrën në sy të nxënësve. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në paraditen e të premtes në fshatin Funar, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimit zyrtar, 55-vjeçarja F.Hyka ka goditur në mes të klasës kolegen e saj M.Sheta, duke i shkaktuar asaj plagë të lehta. Mësohet se kjo e fundit, edhe për hir të opinionit në fshat e mjediset shkollore, ka qenë e detyruar ta denoncojë në polici, ndaj është hapur çështja penale. Shkaqet klasifikohen për motive të dobëta, por 55-vjeçarja akuzohet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Qarkut në Elbasan ka mbërritur një informacion kontradiktor nga vetë drejtoria e kësaj shkolle nëntëvjeçare. Sipas kreut të arsimit në Elbasan, Kujtim Mema, drejtoria e shkollës ka sjellë informacion zyrtar se shoferi i autobusit të arsimit që transporton mësuesit nga qyteti për në këtë fshat, ka hyrë në shkollë dhe ka prishur qetësinë e mjediseve të brendshme të shkollës. Ende nuk dihet e saktë nëse shkaku i rrahjes së dy mësuesve në moshë të pjekur, ka lidhje me këtë ngjarje. "Mbi bazën e këtij informacioni, por edhe në atë që ka media, ne do të kërkojmë sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, shkaqet dhe motivet për të dalë në një konkluzion logjik zyrtar", ka deklaruara drejtori i arsimit në Elbasan, Kujtim Mema. Përpos atyre që mund të konkludojnë organet e drejtësisë në rreth, ngjarja është më tepër se kaq, pasi është cenuar figura e mësuesit dhe kjo ka ndodhur në sy të nxënësve.