Çohu At Gjergji, se nuk u dilet dot shakllabanëve akulturorë të Shqipërisë
"Do kulima, ngrehaluca të kqì, dje dalë prej shpergâjsh; do pseudoprofesora e pseudodoktora, analfabeta e semianalfabeta, ngallitë neper "kursa të shpejtë" si kpurdhat në shi; do ftyrëfodulla vagabondash, sallahanash e derbedera muhaxhirësh, nenshtetas adoptiv të Shqypnìs - pak e aspak shqyptarë - e llaca të zdraluem logjash, malonike; kshtû edhè njadisà nder atà teneqexhìt, kallajxhìt, hallvaxhìt, nallbanat, kasapët, matrapazat, qi sodmesod, megjithktà qi po kà qesàt punet, atà po kân fatin e bardhë me rrue petlla e pogaçë, na jânë ngrefë per oksidentala të lmuem e të pipiriquem, e pa pasë kurrnji vetì okcidentalizmit m‘vedi, posë nji kravatet - si bisht micet të percullueme - qi u vjen perreth fytit, në vend t‘atij konopit të karmanjolles, prej të cillit s‘dihet si e shûma e tyne ka mujtë me pshtue ... na pshtyjn n‘e djathten e t‘errmakten fjalë të mdhaja kulturet e perparimit, thue se vertè
kta kan prekë qiellen me dorë per kah msimi e dija. Ardhë prej shkretivet të zharrituna t‘Azìs, na flasin mbi lirì; dalë prej bordellave mâ të poshterm t‘Europës, na predikojnë moralin; kan çue per treg disa arka vojgurit ngarkue me voe në Bari, Trani, Brindizi, Ostuni etj. ase kân bartë ndonji strajcë korona serm kontrabandë, e na mbahen se dinë ekonomì politike; dèr dje kan shitë bozë, e guksojnë filozofì; ndoshta vjetin 1914 (= 1997 - sic!) me pare të huej paten rrenue Shqypnin, e sod na shiten per atdhetarë të flakët e nacjonalista të përculluem prej vapet të dashnìs komtare, sa mos me dashtë me poltisë as kapitalet e hueja, per me nisë ndoj punë në vend. Me "hallva nder veshë" e me nji shqipe ibride, ezotike, barbare makerono-kalimero-devetikozhe kan ma teper, guximin të na perplasin perpara: aforizme e paradigme gjuhsijet, po si të kishin kullotë të gjith shtrajcen e Filologjìs s‘Berlinit e të Vienës, jo ma se të gjith kultura e tyne e studimet, qi kan bâ mbi literatyrë e gjuhë, permlidhen m‘dy a tri tabela të thyeme e m‘ndonji divid të kputun në ndonji ruzhdije - a në ndonji shkollë fillore të shkatrrueme, prej të cillavet, ndoshta, edhè kan kênë perzànun para kohet: si mo‘ Zot, ma keq per të mjeren moj Shqypnì, qi dokrrat e pallavrat e tyne mâ të shumen e herës do t‘i peshojnë me àr - me àr të kulluet! Por kà pasë thânë i moçmi: në dhè të verbtë kullosin kualt e shkeptë.
Sa per vedi, na kurrkund s‘e kemi pasë nder mend me u vû shèj kopallave të ktyne shakllabanavet të Shtetit Shqyptar, pse e dìmë mirë sa pare u bân gjaku, e se ç‘brumit e ç‘kallypit jânë ..."
Le të rilexojmë pra me zë të lartë dhe të kërkojmë së bashku Fishtën pikërisht këto ditë kur s‘ngopemi së lexuari përshëndetjet dhe urimet për pavarësinë e Kosovës së përvuajtur, e në të njëjtën kohë përjetojmë klithmat "SOS" që lëshojnë në shtyp e në biseda kolegët tanë, ish-punonjës të ish-instituteve shkencore albanologjike që përbënin dikur ish-Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Nuk bëhet më fjalë vetëm për të ashtuquajturën reformë në akademi që - siç dihet botërisht - ishte fyese për kulturën e qytetërimit evropian, dhe të planeve - siç priteshin - zindjellëse e ogurzeza për gjithçka të arritur deri sot nga shkenca dhe inteligjenca shqiptare. Prej këtyre klithmave mësojmë se si segmente të caktuara të shtetit të Republikës së Shqipërisë, të njohura për politikat dritëshkurtra, e që në vazhdimësi vetëm keq po i sjellin atij vendi, kanë ndërmarrë ndërkohë jo vetëm dënimin kolektiv të të gjithë punonjësve të shkencave albanologjike, duke i pushuar kolektivisht nga puna, por po i gëzohen edhe përçudnimit kolektiv në përmasat e holokaustit intelektual, duke i nëpërkëmbur e poshtëruar po ashtu kolektivisht, madje pa përjashtuar as ata që janë në prag të pensionit, duke u njohur gjoja të "drejtën e ligjshme" për të konkurruar pikërisht për atë vend pune, prej të cilit de facto janë pushuar.
Kjo mënyrë të vepruari: hedhja kolektive në rrugë pa motivacion, moslivrimi i rrogave që nga fillimi i këtij viti- i dyti radhazi brenda pak muajsh -mënyra e konkurrimit nëpërmjet postës elektronike, frika dhe paniku i përhapur me letrën ultimatum të lëshuar më datë 11 shkurt për mbylljen e konkurrimit me dosje më datë 24 shkurt, gjithë këto nuk mund dhe nuk duhen lexuar ndryshe, veçse si vigjilje e një veprimi kriminal të mirëstudiuar, por të pamenduar ndaj punonjësve të shkencave albanologjike në Shqipëri. Mos e pafsh këtë ditë oj Kosovë e virgjër!