E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafik droge drejt Gjermanisë, GJKKO 11 vite burg për Islam Sefën

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi sot me 17 vite burg Islam Sefën alias Xaka, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Pas gjykimit të shkurtuar u zbrit 1/3 e dënimit, ndaj dhe Islam Sefa (alias Xaka) do të vuajë një dënim përfundimtar prej 11 vite e 4 muaj burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Islam Sefa (alias Xaka) do të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe do të kryhet në burg të sigurisë së lartë.

Islam Sefa alias Xaka, u arrestua më 2 korrik 2024 në një lokal pranë godinës së SPAK, i akuzuar si drejtues dhe financuesi i trafikut të drogës në Gjermani me vlerën e 3.3 milionë eurove.

Arrestimi erdhi pas një hetimi të përbashkët me autoritetet gjermane lidhur me një grup kriminal shqiptaro – gjerman që merrej me trafik droge.

Në dhjetor 2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (GJKKO) katër të pandehur për trafikim të lëndëve narkotike, përfshi Islam Sefën (alias Xaka).

Sipas SPAK grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuana.

Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, tregtohej në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimeve u evidentuan 9 episode dhe u provua se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 euro.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›