E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës, aty ku proceset zhvillohen në zyra

Krahasimi me një kombinat mund të duket i ekzagjeruar për një institucion publik, por kur bëhet fjalë për Gjykatën e Tiranës, përjashtimi është i pranueshëm. Jo vetëm sepse është gjykata e kryeqytetit dhe më e madhja në vend, me mbi 50 gjyqtarë, jo vetëm sepse në të gjykohen të paktën 18 mijë çështje në vit, por edhe sepse në dyert e saj "përplasen" të gjitha kategoritë dhe shtresat shoqërore. Nga adoleshentët që kanë vjedhur ndonjë gjë të vogël, e deri te vrasësit, nga më të varfërit e të papunët, te të pasurit që nuk ndajnë dot paratë me ortakët, nga nëpunësit që kanë humbur vendin e punës e deri te politikanët, që për të treguar devotshmëri ndaj partive respektive shajnë njëri-tjetrin, të gjithë vijnë këtu, për të kërkuar drejtësi.

Mbipopullimi i trotuarit përpara derës së hekurt të oborrit të Gjykatës së Tiranës është shenja e parë se po i afrohesh një zone me njerëz hallexhinj. Pjesa më e madhe e tyre janë familjarë të personave që pritet të dalin në gjyq. Disa shfryjnë, disa qajnë, të gjithë duken të shqetësuar për atë që do të ndodhë brenda sallës së gjyqit. Klementi, një djalë i ri me flokë të qethura shumë shkurt, pret që të fillojë gjyqi i kushëririt të tij të parë. Është aty me gjithë familjarët e tij, por është i vetmi që nuk trembet të flasë me një gazetar. "Kom ardh për çunin e xhajës. E kan fut mrena për drogë ene sot ka gjyqin... E kon kap me hashash, po nga halli e ka pas o burr. Hallexhi me tre kalamoj. Pa punë ka qen... Do zoti vejn dorën në zemër kto gjykatsit se ai s‘ka lek me pagujt". Nga mënyra sesi flet Klementi duket sikur kërkon të na bindë se kushëriri i tij është i pafajshëm dhe se po të kishte para do të mund të dilte kollaj nga burgu. Në fakt, kjo është një ndjesi e krijuar pothuajse te të gjithë ata që hyjnë e dalin në dyert e gjykatës. Lëmë oborrin për t‘u futur në ambientet e brendshme të saj. Sistemi i ri i sigurisë, i vendosur në hyrje, u ka hapur më shumë punë policëve të shërbimit, të cilëve u duhet tashmë t‘u mësojnë njerëzve se si duhet të kalojnë nëpër harqet metalkërkuese, dhe ku t‘i lënë gjërat prej metali që nxjerrin nga xhepat.

Proceset në zyrat e gjyqtarëve

Korridoret e gjykatës janë gjithmonë plot me njerëz. Që aty në katin e parë, ku kërkojnë nëpër kompjuterë datën apo orën e gjyqit të tyre, e deri përpara dyerve të zyrave të gjykatësve, ku presin për të nisur "betejat" e tyre ligjore. Pjesa më e madhe e tyre presin për gjyqe civile, të cilat zhvillohen nëpër zyrat e gjyqtarëve. Një rast unikal ndoshta në të gjithë Evropën, por që në Shqipëri, për ata që drejtojnë gjyqësorin, nuk duket se bën dhe aq përshtypje. "Procesi humbet solemnitetin e tij kur ai zhvillohet në zyrën e gjykatësit. E kemi ngritur shpesh këtë problem, por deri tani, asnjë zgjidhje", thotë gjyqtarja Arjana Caco. Sipas saj, zyra është një ambient pune personal i gjykatësit ku ai mban materialet, dosjet dhe mjetet e tij të punës, pse jo një foto të familjarëve, apo diçka tjetër vetjake. Është e vështirë, jo vetëm sepse zyrat janë të vogla dhe të papërshtatshme, por edhe sepse nuk ofrojnë kushte për zhvillimin e një procesi gjyqësor.

Gjykata e Faktit në kryeqytet ka 7 salla, në të cilat zhvillohen kryesisht gjyqet penale. Sipas statistikave zyrtare, proceset penale zënë rreth 20-25% të numrit të përgjithshëm të çështjeve që shqyrtohen në këtë gjykatë, çka nënkupton se pjesa tjetër, që është edhe pjesa më e madhe e proceseve zhvillohen nëpër zyra. Për gjyqtaren Manjola Bejleri, gjykimi nëpër zyra është një nga faktorët që ndikon edhe në shumë parametra të tjerë: "Si mund të ketë transparencë procesi, kur në zyrë mezi ka vend për palët dhe avokatët e tyre. Nëse çështjet do të shqyrtoheshin në salla, çdo i interesuar do të mund t‘i ndiqte, duke i dhënë procesit transparencën e duhur".

Zgjatja e proceseve

E ndërsa gjyqtarët nuk lënë rast aktiviteti publik pa e ngritur problemin e gjykimit nëpër zyra, si një ndër më të mëdhenjtë e punës së tyre, për qytetarët më shumë shqetësuese mbetet zgjatja e proceseve. "E kam fituar gjyqin dhe tani pres atë vendimin e ekzekutimit. Po më shkoi gjyqi 2 vjet, duke ardhur çdo dy javë këtu". Erveheja është një grua në moshë të thyer, e cila ka pak vjet që ka ardhur në Tiranë nga Berati. Në përpjekje për të blerë një shtëpi të lirë, u gjend e mashtruar dhe humbi 1.5 milionë lekë. "Procesin e kisha të thjeshtë, se mashtruesin e kanë futur në burg dhe ai e pranoi fajin... Po puna është se ma zgjatën shumë. Njëherë s‘vinte ai, një herë s‘vinin dëshmitarët. Seancat na i linin një herë në dy javë, nga njëherë edhe pas një muaji", përfundon gruaja, e cila nuk e di se problemi i saj për të marrë lekët e veta nuk mbaron me kaq.

Por problemi i saj është më i thjeshtë se sa disa gjyqe penale të cilat vazhdojnë prej shumë vitesh. Më ekstremet mbeten gjyqet e kryengritjes së 14 shtatorit, të cilat vazhdojnë prej 9 vitesh pa ndonjë shpresë se mund të përfundojnë. Për gjyqtarët problemet e shtyrjes së proceseve janë nga më të shumtat dhe në pjesën më të madhe ata thonë se nuk lidhen me ta. Mungesa e adresave të sakta dhe në këtë mënyrë edhe vështirësia në njoftimin e palëve apo të dëshmitarëve mbeten problemi kryesor që ndikon në shtyrjen e seancave. Për gjyqtarët, problemi kryesor mbeten zyrat e administratës shtetërore. "Vërtetimet dhe dokumentet që qytetarët duhet të marrin nga zyrat shtetërore janë ato që i vonojnë më shumë gjyqet", të thonë në Gjykatën e Tiranës. Për sa u përket vërtetimeve të gjendjes gjyqësore, me gjithë përurimin e sistemit online, duket se në gjykatë ende nuk kanë parë vlerë dhe se mbeten ende një problem shumë i madh.

Ngarkesat e tepërta

Duke qenë gjykata me numrin më të madh të çështjeve për gjykim, edhe ngarkesa që duhet të përballojë çdo gjyqtar është e lartë. Në një vit, togat e zeza të Tiranës duhet të përballojnë një ngarkesë prej 400-500 çështjesh. Por ata mendojnë se kjo ngarkesë, e cila gjithsesi nuk i shërben cilësisë së gjykimit, do të ulej ndjeshëm, nëse legjislacioni shqiptar do të parashikonte ndryshimin e zgjidhjes së disa procedurave administrative. Kështu për shembull kalimi pranë gjendjeve civile i regjistrimit të vdekjeve, kur ka kaluar më shumë se 10 ditë nga ndodhja e tyre dhe lindjeve kur ka kaluar më shumë se 45 ditë. Madje gjyqtari Gjin Gjoni shkon edhe më tej, kur thotë se në mjaft vende të zhvilluara edhe procedurat e uljes së dënimeve nuk kalojnë nga gjykatat. "Në përvojën e shumë shteteve si Anglia, Sllovenia, apo edhe vende të tjera të zhvilluara, uljet e dënimeve, bëhen nëpërmjet komisioneve që ngrihen direkt brenda sistemit të burgjeve", thotë ai.

Gjyqtarët shpresojnë se ndryshimet që po bëhen në funksion të Reformës në Drejtësi do të rregullojnë edhe mjaft nga këto probleme, që për ta janë të rëndësishme. Ndërsa qytetarëve që shkojnë përditë në dyert e gjykatës, "hallet" e gjyqtarëve u duken gjëra të huaja, shumë të largëta, për ta rëndësi ka vetëm të gjejnë drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›