Nevoja e revolucionit të mendimit
Një fabul e vjetër tregon për një ari, i cili kishte lindur dhe ishte rritur në një kafaz dhjetë hapa të gjerë dhe dhjetë të gjatë. Një ditë, kujdestari vendosi ta lërë të lirë ariun, ndaj e mori në një pyll dhe e lëshoi. Me t‘u liruar nga litarët, ariu eci disa hapa përpara, pastaj hodhi vështrimin rreth e rrotull me çudi. Pas disa minutash, krejt i çorientuar, nisi të bënte pa pushim dhjetë hapa majtas e dhjetë djathtas.
Shqipëria u lirua prej kafazit të hekurt shumëvjeçar, megjithatë, ashtu si ariu, vazhdon instinktivisht ta ketë kafazin e hekurt në mendje. Pavarësisht se shqiptarët kanë shtatëmbëdhjetë vjet të liruar prej diktaturës komuniste, ata akoma jetojnë të kufizuar dhe jo të lirë. Për më tepër, me ndryshimin e sistemit autoritar, populli ra pre e hipnozës së kujdestarëve të tjerë, të cilët imponuan në subkoshiencën e popullit kafaze të tjera, por kësaj here ato kafaze ishin të padukshme dhe të rrënjosura thellë në mendjen e njerëzve. U bënë shtatëmbëdhjetë vjet që ne po marshojmë dhjetë hapa majtas e dhjetë djathtas, pa ditur të ecim përpara. Por a ka kurë për këtë sëmundje të imponuar? Lypset një revolucion mendimi për t‘u çliruar një herë e përgjithmonë prej kafazeve mendore. Lypset një rrugë e re, mentalitet i ri, politikë e re, kulturë e re dhe njerëz të rinj, që ta bëjnë Shqipërinë një vend të zhvilluar dhe modern.
Ne sot po jetojmë në një iluzion optik. Propaganda e vazhdueshme e regresit na ka bërë të mendojmë se liria dhe zhvillimi janë tejet larg dhe të paarritshme, ndaj edhe populli i thjeshtë mendon se "Shqipëria nuk ka për t‘u bërë kurrë e zhvilluar, ajo kurrë nuk ka për t‘u ndryshuar". Kjo gënjeshtër është vetëm një iluzion optik. Nëse bëhet një revolucion mendimi, nëse ne hapim sytë dhe shohim të vërtetën, atëherë do të kuptojmë se liria e vërtetë dhe e ardhmja e ndritur janë shumë pranë nesh dhe mjafton vetëm të zgjasim dorën për t‘i arritur.
Politika e vjetër dhe shtupat e vjetra të saj e kanë mbajtur peng këtë vend dhe e kanë shndërruar në një lavirhane në mes të Evropës dhe një kapitull komik në librin e historisë. Revolucioni i mendimit i spastron pinokët e vjetër dhe sjell progres. Ky revolucion nis nga vetvetja. Le të nisim të mendojmë ndryshe, duke besuar se ne mund të shkruajmë një histori të re. Le të kuptojmë se demokracia e vërtetë ka për bazë dëshirën dhe vullnetin e popullit dhe jo atë të pushtetarëve dhe se mbi të gjitha ajo është kundra tiranisë dhe formave të ndryshme të saj. Le ta mos pranojmë se disa janë më të barabartë sesa të tjerët. Le t‘i tregojmë botës se kombi shqiptar është një komb vigan dhe liberator.
Doktrina e diktaturës komuniste u imponua ashpër dhe pushtoi çdo aspekt politik, ekonomik, kulturor dhe social, ndaj duke ditur se aplikohet edhe sot, ajo duhet çrrënjosur me një revolucion mendimi dhe një kundërveprim të gjithanshëm si në këto fusha, ashtu edhe në çdo aspekt të jetës. Le të bëhemi revolucionarë në mendim aty ku jemi. Le të zgjasim dorën të arrijmë lirinë e vërtetë dhe një të ardhme të ndritur. Politikanët kanë shansin të lënë gjurmë në histori dhe emrat e tyre të shkruhen në tekstet shkollore të brezave të ardhshëm. Artistët dhe shkrimtarët le të përdorin artin, muzikën dhe letërsinë për të promovuar demokracinë dhe emancipimin. Intelektualët le të ngrenë zërin dhe bashkohen për një interes mbarëkombëtar. Të rinjtë le të mos qëndrojnë duarkryq, sepse bota përtej kafazeve është më e bukur dhe se ndrydhja e shpresës është sëmundje që kap çdo moshë.
Le ta konsiderojmë të papranueshme mungesën e gjërave elementare të një shoqërie të shekullit të njëzetenjë. Le të mos i falim më eksperimentet në kurriz të taksapaguesit. Le të nisim të besojmë se çdo gjë është e mundur dhe se nuk ka asgjë të pamundur. Le të punojmë me korrektësi, duke themeluar një etikë perëndimore të punës. Le të studiojmë historinë e kombeve të zhvilluara dhe të mësojmë prej tyre, sepse siç thotë edhe Livi: "Studimi i historisë është ilaçi më i mirë për një mendje të sëmurë; sepse brenda historisë gjendet një numër i pafund i eksperiencave njerëzore për t‘u parë qartë prej të gjithëve; dhe në këto eksperienca mund të gjesh veten tënde dhe atdheun tënd, shembuj të mirë, por edhe paralajmërime; aty gjen gjëra të bukura për t‘i marrë si model dhe gjëra të shëmtuara që duhen shmangur".
Në politikën e sotme nuk ka asnjë nuancë progresiste. Ne drejtohemi prej një grupi individësh me pikëpamje të prapambetur, të cilët përpiqen të jenë të përjetshëm në karriget e tyre të pushtetit. Ky nuk është një fakt i sapoobservuar, këtë e dimë të gjithë, megjithatë, për shkak të kafazeve në mendim, ne vazhdojmë të dëgjojmë e durojmë gënjeshtrat e atyre pinokëve, të cilët madje u besojnë edhe vetë gënjeshtrave të tyre. Këta shtupa të vjetra i detyrohen personalisht një falje publike çdo shqiptari. Këta duhet t‘i përgjunjen çdo të moshuari dhe t‘i kërkojnë falje se ia bënë ferr vitet e fundit të jetës. Këta "pengmarrës" të demokracisë dhe ndërtues kafazesh duhet të largohen sa më shpejt nga politika, në mënyrë që shqiptarët të ecin përpara dhe të integrohen me Perëndimin. Prej vitesh ne jetojmë në një vend ku fjala më e përdorur është "reformë". Por reforma e vërtetë duhet të nisë me ata që shprehen se duan të bëjnë reforma. Arritja e parë do të ishte largimi nga politika e pseudo-reformatorëve dhe zëvendësimi i tyre me revolucionarë mendimi, që kanë gjak të papërlyer me virusin diktatorial alla rus, njerëz të rinj të punës dhe plot dëshirë, vullnet e aftësi për ta çuar vendin përpara.