Si u dogj fondi prej 60 mijë USD
Edhe në 2008-ën duket se aparati i Shentigrafisë në QSUT "Nënë Tereza" nuk do të funksionojë. Fondi prej 60 mijë dollarësh, që mezi u sigurua vitin e kaluar, u dogj në fund të muajit dhjetor 2007.
Ky ekzaminim i domosdoshëm për femrat e prekura nga tumori i gjirit, por edhe për ekzaminime të tjera të gjëndrës tiroide, etj., kushton 24000 lekë në klinikat private, ndërsa në shtet është falas. Që prej një viti, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" ky shërbim nuk të ofrohet, jo se nuk ka aparaturë për të kryer këtë ekzaminim, por sepse nuk ka lëndë radioaktive të nevojshme që shërben për të ekzaminuar skeletin e të sëmurëve me tumorin e gjirit dhe për të kryer ekzaminime të tjera.
Fillimisht ishte një fond prej 60 mijë dollarësh që u shfrytëzua pikërisht për blerjen e lëndës radioaktive që shërbente për të ekzaminuar skeletin e të prekurve nga tumori i gjirit. Por kur ky fond mbaroi, mjekët e spitalit hoqën të zitë e ullirit për të siguruar fondin e ri.
Në qershor të vitit 2007 fondi i ri u hap. Pas shumë kërkesash u sigurua fondi i ri. Por ai u dogj në fund të dhjetorit të po atij viti, sepse dy tenderët e zhvilluar dështuan. U zhvilluan dy tenderë për blerjen e kësaj lënde, me të cilën funksionon aparati i Shentigrafisë. Në dy tenderët nuk u paraqit asnjë firmë konkurruese.
Kur e panë se muajt po kalonin dhe fondi mund të digjej, mjekët kërkuan blerjen e kësaj lënde me prokurim të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk u miratua. Dhjetori i vitit 2007 kaloi dhe fondi u dogj. Sot mjekët e QSUT-së kanë filluar procedurat nga e para për sigurimin e fondit.
Mjeku bërthamor, Vladimir Titka, i vetmi që bën Shentigrafinë në QSUT "Nënë Tereza", tregoi dje për "Fiks Fare" se në fillim të janarit 2008 kishte shkuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtorinë e spitalit për t‘u interesuar, por nuk i kishin dhënë asnjë shpjegim për këtë problem. "Mendoj se për të zgjidhur këtë problem duhet të bëhet tender me prokurim të drejtpërdrejtë që nuk e bëjnë, dhe duket se edhe në vitin 2008 do të vuajmë të njëjtin kalvar si në 2007 dhe gjithçka vetëm për një fond prej 60 mijë dollarësh", shprehet me keqardhje mjeku Titka.
Ndërkohë që prej një viti i gjithë stafi që ka për detyrë të kryejë këto ekzaminime, paraqitet në punë, nuk punon se nuk funksionon aparatura dhe marrin rrogën. Nga ana tjetër, pacientët drejtohen në klinika private, ku u ofrohet ky shërbim, kuptohet me tarifa të kripura, 24000 lekë të reja kushton Shentigrafia. Madje nuk të duhet të presësh në radhë. Ekzaminimin e bën brenda ditës. Mjafton të paguash faturën.
Deklarata
Mjeku bërthamor, Vladimir Titka, i vetmi që bën Shentigrafinë në QSUT "Nënë Tereza", tregoi dje për "Fiks Fare" se në fillim të janarit 2008 kishte shkuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtorinë e spitalit për t‘u interesuar, por nuk i kishin dhënë asnjë shpjegim për këtë problem. "Mendoj se për të zgjidhur këtë problem duhet të bëhet tender me prokurim të drejtpërdrejtë, që nuk e bëjnë, dhe duket se edhe në vitin 2008 do të vuajmë të njëjtin kalvar si në 2007 dhe gjithçka vetëm për një fond prej 60 mijë dollarësh", thotë ai me keqardhje.