Spineli nuk e lëshon Bogdanin: Nuk ikën nga Livorno
Erjon Bogdani nuk do të lëvizë nga Livorno në muajin janar. Ky është premtimi i Aldo Spinelit, presidentit të Livornos, i cili ka komentuar dje të gjitha zërat e mundshëm të merkatos që vërtiten rreth klubit të tij. Pas interesimit të shumë klubeve për Bogdanin, mes të cilave Atalanta dhe Kaljari, Spineli ka dashur të sqarojë situatën e sulmuesit shqiptar, i cili ka luajtur rregullisht në formacion gjatë fazës së parë, por nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës. Sipas tij, Bogdani mbetet i paprekshëm, ashtu si sulmuesit e tjerë, Tavano dhe Tristan, ndërsa nuk do të kërkojë një futbollist tjetër për këtë repart që e cilëson si më të kompletuarin në skuadër. "Kalaio te Livorno? Absolutisht jo, kemi shumë futbollistë në sulm dhe mund të them se mund të huazojmë ndonjë prej tyre. Lukareli? Ka admirues të tij në çdo skuadër, por duhet të kesh një portofol të madh. Bogdani te Kievo? E përsëris, absolutisht jo. Ne nuk do të heqim dorë nga ai, Tavano dhe Tristan. Bashkë me këta të tre do të mbajmë edhe një sulmues tjetër, ndërsa ata që mbeten do t‘i huazojmë në ekipet e tjera", ishte deklarata e qartë e presidentit të Livornos. Kjo provë besimi është më se e mjaftueshme për të treguar se Livorno do të mbajë Bogdanin pavarësisht ofertave nga klube të tjera, apo faktit që ai nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës. Pak ditë më parë ishte edhe vetë trajneri Kamoleze ai që u shpreh i lumtur me tre sulmuesit që kishte në dispozicion dhe se do t‘i aktivizonte në formë rotacioni për t‘i dhënë secilit mundësinë e tij. Bogdani ka fituar më shumë hapësira në ndeshjet ndaj skuadrave të forta, pasi arrin të ndihmojë edhe mesfushën. Ndërsa në ndeshjet me rivalet direkte për mbijetesën, ka qenë radha e Tristan. Gjithsesi, i vetmi që ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës deri tani në repartin e avancuar ka qenë Tavano, titullar i paprekshëm në radhët e Livornos dhe idhulli i ri i skuadrës.