E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbolli i folur, spektakli i vërtetë!

Më së fundi Tirana mund të flasë për spektakël, pa pasur frikë nëse loja e saj ofron më shumë pikë se sa argëton. Në prag të ndeshjes me Vllazninë, trajneri Hafizi ka bërë një premtim kurajoz: "Në Shkodër do të bëjmë një mbyllje të vitit me spektakël. Përballë kemi një ekip që është mësuar të luajë bukur". Sa mirë do të ishim sikur të besonim në fjalët e tij. Por për trajnerët fjala spektakël ka më shumë peshën e pikëve, ndaj dhe bardheblutë kanë filluar të flasin, madje të premtojnë. Por edhe shkodranët vetë nuk besojnë te deklarata e Hafizit, sepse pas 4 golave pa histori me Shkumbinin, nuk mund të besojnë vetëm te fjalët e bukura. Sidomos kur presidenti Fushaj krijoi alibinë se lojën e kërcënonin arbitrat e komanduar dhe papritur dorëzohet edhe ai vetë në Peqin. Por, për fat, nuk imitoi presidentin Bizhdili të Besës që pas një humbjeje ka thënë: "Nuk ka faj trajneri, as futbollistët, por vetë unë".

Janë ditë të bekuara ato kur për një humbje "aksidentale" trajnerët dalin pa lagur, futbollistët shtirren sikur nuk kanë qenë në fushë, kurse shefat u betohen tifozëve se një gafë e tillë nuk do të përsëritet. Sikur ta kenë bërë me fjalë, trajnerët thonë se herën e fundit për 2007-ën do ta luajnë bukur. Jo pa shkak, Josa bën ironi me Hafizin që premton spektakël: "Kam frikë se ata quajnë spektakël ndeshjet në Peqin dhe në Lezhë...". Frazë me helm për bardheblutë. Prandaj dhe vetë Neptun Bajko kur vesh petkun e humbësit, nuk dëshmon lojën, por predikon se "shpresa vdes e fundit dhe kjo është bukuria e këtij futbolli".

Me shpresë për futbollin e bukur, siç mëson Bajko, ndjekim ato që thotë njëri dhe tjetri. Të duket stil efikas ky i Dinamos që edhe në letra nuk tregon shumë për veten e saj. Trajneri Canaj dhe futbollistët e tij, atëherë kur flasin harrojnë të thonë se edhe presidenti Sulaj është një protagonist i mirë. Basti i bluve në këtë sezon kuptohet qartë, por ata nuk janë mësuar të thërrasin me zë të lartë, siç ndodhi me Besën "jemi për kampion". Nuk premtojnë spektakël, por kronika e ndeshjeve të tyre ngushëllon më shumë se ekipet e tjera. Ata pak tifozë që ka Dinamo krenohen se ekipi i tyre fiton më shpesh dhe nuk tradhton si të tjerët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›