E Diel, 1 Nëntor 2026

"Han, i bindur në arritjen e objektivit"

Ari Han është i bindur se Shqipëria do të sigurojë të paktën vendin e katërt në grup. Kjo është arsyeja kryesore pse trajneri holandez ka pranuar të marrë drejtimin e kuqezinjve në eliminatoret e Botërorit 2010. Një gjë të tillë e ka konfirmuar dje zv/presidenti i FSHF-së, Bujar Kasmi, i cili bashkë me kreun institucionit të futbollit, Armand Duka, negocioi në Vjenë me teknikun holandez. Kasmi ka bërë të ditur se Han ishte shfaqur i sigurtë mbi arritjen e këtij objektivi, ndërsa kishte deklaruar se kishte njohuri mjaft të mira për Shqipërinë dhe lojën e futbollistëve të saj. Pikërisht optimizmi i holandezit i ka shtyrë edhe drejtuesit e FSHF-së që t‘i besojnë atij stolin kuqezi ku do të zëvendësojë Oto Bariç.

Edhe Kasmi ka përsëritur faktin që përzgjedhja e trajnerit, këtë radhë, ishte bërë për të sjellë një teknik me njohuri të thella dhe me shumë përvojë. Sipas tij, kjo gjë do të ndihmojë shumë ecurinë e kombëtares shqiptare për të arritur objektivin e saj kryesor të këtij edicioni, ngjitjen një vazo më lart. "Ne jemi shumë të kënaqur që zgjodhëm një trajner të aftë, të mirinformuar për futbollin tonë dhe dashamirës ndaj nesh. Sigurisht që zgjedhja i tij erdhi pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje, ku federata këmbëngulii në një kandidaturë të njohur dhe me cilësi teknike më të spikatura. Ne mendojmë se një teknik i futbollit holandez do t‘i bëjë punë kombëtares sonë. Ajo që ne synojmë nëpërmjet punës së tij është ngjitja më lart në renditjen në grup dhe në vazot e UEFA-s. Nga ana e tij, trajneri Han ishte i bindur se mund të realizonte këto objektiva, ndaj pranoi fillimin bisedimeve dhe më pas detyrën e tij të re. Ai na tregoi se kishte njohuri të mjaftueshme për futbollin shqiptar dhe për futbollistët tanë", deklaroi Kasmi.

Tashmë duket qartë se objektivi që i është vënë teknikut është vendi i katërt në grup, për të kaluar Hungarinë dhe Maltën dhe për të shpresuar në një short më të favorshëm në eliminatoret e Euro 2012, mundësisht në një vazo më lart. Për këtë arsye, trajnerit Han i është ofruar edhe mundësia e rinovimit të kontratës aktuale, sapo të arrihen këto objektiva. Nga ana e tij, holandezi ka premtuar edhe një rinovim të grupit të lojtarëve, duke përzgjedhur si nga Superiorja, ashtu edhe mes talenteve shqiptare që militojnë në kampionatet më të njohura evropiane. Në takimin me drejtuesit e FSHF-së, Han ka komentuar edhe ndeshjet e Shqipërisë me Holandën, në të cilat ka parë realisht potencialin e përfaqësueses. Loja e mirë ndaj bashkëkombësve të tij e ka bindur holandezin të pranojë drejtimin e kuqezinjve, duke menduar se do të ketë në duar lojtarë që mund të thyejnë Hungarinë dhe Maltën, pa harruar surprizën e zakonshme të eliminatoreve të fundit me rezultate pozitive ndaj ekipeve pretendente në grup.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›