Braçe: Basha? Parlamenti, shantazh prokurorisë
Opozita akuzoi dje shumicën në pushtet se po tenton të kalojë në axhendë të ngjeshur parlamentare një sërë nismash të rëndësishme. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një komunikim me median ngriti shqetësimin e grupit për atë çka e cilësoi një nxitim të qëllimshëm. "Qeveria po synon t‘i kalojë pa vëmendjen e publikut, pa vëmendjen e grupeve të interesit, madje dhe pa diskutime serioze në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë", tha Braçe. Ai konstatoi se bëhet fjalë për çështje që, sipas tij, skalisin korrupsionin qeveritar. "Skalisin vendimmarrjen e korruptuar në Kuvend dhe natyrisht ka çështje që lidhen drejtpërdrejtë me portofolin e shqiptarëve", argumentoi Braçe. Duke iu referuar kalendarit të punimeve të Kuvendit, Braçe përmendi edhe çështje të natyrës financiare, ashtu siç ka çështje që skalisin dështimin total të qeverisë, në zbatimin e ligjit për buxhetin e shtetit. "Çështje që nga shprehje e vullnetit të Parlamentit për të luftuar korrupsionin shndërrohen nga Kryetarja e Kuvendit në çështje me anë të të cilave i bëhet shantazh organit të prokurorisë", vijoi Braçe. Numri dy i grupit bëri me dije se janë futur dhe 6 projektligje që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi. Për të cilën, socialistët mendojnë se natyrshëm kërkohet konsensusi i opozitës. Sakaq, nënvizojnë se qeveria dhe Kryetarja e Kuvendit kërkojnë t‘i kalojnë në Kuvend pa konsensus të opozitës këto nisma. Votimi për imunitetin e Bashës është një tjetër pikë e përcaktuar në axhendën e dy ditëve të tejmbushura parlamentare. "Çdo me thënë vendimi i Parlamentit, që për ne Lulzim Basha është i pafajshëm, që akuzat e Prokurorisë nuk qëndrojnë, por ne do t‘ia heqim imunitetin zotit Basha?" - shtroi pyetjen Braçe. Duke ngritur shqetësim për këtë mesazh që, sipas tij, i jepet Prokurores së Përgjithshme të Republikës. "Ǒështë ky mesazh për prokurorin e Tiranës, ç‘është ky mesazh për prokurorët që kanë hetuar çështjen. Ǒështë ky suport që qeveria e Partisë Demokratike apo mazhoranca e saj i jep korrupsionit apo dyshimeve për korrupsion ndaj një ministri", theksoi Braçe. Socialistët këmbëngulin se kemi të bëjmë me një implikim të Parlamentit në një shantazh të drejtpërdrejtë përkundrejt organit të prokurorisë. "Kjo është skandaloze", argumentoi Braçe. Socialistët, pak ditë më parë, kërkuan me insistim nga Parlamenti që të fuste në rendin e punës brenda këtij viti tre interpelanca të kërkuara nga e majta. Konkretisht bëhej fjalë për thirrjen e Kryeministrit Sali Berisha para deputetëve në llogaridhënie. E para kishte të bënte me çështjen e pensioneve dhe politikat e qeverisë në këtë drejtim. Interpelanca tjetër ishte për dhënien e një trualli që ishte në pronësi të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Çështja e tretë, për të cilën të majtët kërkuan kreun e qeverisë në interpelancë, kishte të bënte me korrupsionin.