Tritol urës, dyshohet hakmarrje ndaj një firme tullash
LEZHË- Një ure që lidh fshatin Mërçin me qytetin e Lezhës i është vendosur tritol. Një ndër pistat më kryesore mendohet të jetë një hakmarrje e ndonjë banori ku merret dheu nga ana e një firme të fabrikës së tullave për të prodhuar produktin e njohur të ndërtimit, process që sjell prishijen e tokave të fshatit.
Tritoli është vënë herët në mëngjes dhe shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në tërë zonën dhe qytetin e Lezhës por pa pasur dëmtim. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nga ekspertët e policisë është vënë re se tritoli ishte vënë në dyshemenë e urës dhe se pas shpërthimit është prishur një pjesë e urës që ka penguar kalimin e mëtejshëm të automjeteve nëpër këtë urë, si pasojë dhe lidhjen e fshtrave me njëri tjetrin dhe qytetin e Lezhës. Policia ka shkuar në vendgjarje dhe bëhet e ditur se janë mbi 20 persona të shoqëruar në komisariatin e policisë.
Nga ana tjetër mësohet se policia po heton në një pistë kryesore që ka të bëjë me konfliktin e njohur të banorëve të zonës me drejtuesit e një fabrike tulle, e cila e merr dheun në fshatin Mërçi, ku për pasojë të marrjes masive të dheut për tulla ka bërë që të krijohen gropa të stërmëdha të cilat mbushen me ujë si pellgje kur ka rreshje duke krijuar dhe përmbytje të tokave të banorëve të kësaj zone.
Këtë gjë banorët disa herë e kanë ngritur si shqetësim të tyre tek autoritetet e ndryshme në komunë apo më lart, ndërsa një javë më parë këshilli i komunës Kallmet mori vendimin që të mos lejohet marrja e dheut nga kjo firma në tokat e këtij fshati.
Pista tjetër ka të bëjë me dëmtimin e tokave nga makinat e tonazhit të rëndë me dheun e ngarkuar, që kalojnë nëpër arat e tyre. Mësohet se para dy ditësh ka qenë policia vendore e Lezhës që ka komunikuar me drejtuesit e firmës për këto shqetësime të banorëve që atyre t’u jepej rrugëzgjidhje dhe të zbatohej vendimi i këshillit të komunës, por pikërisht dy ditë më pas persona të caktuar duket se kanë preferuar vetgjyqësinë duke dëmtuar me tritol urën, nëse mbeten këto pista sipas hetimit policor.