Prokurorët e "Durrës-Kukës", frikë nga reforma
Emërimi i kryeprokurores së re, ka "frikësuar" hetuesit e rrugës Durrës-Kukës, nga një reformë e mundshme. Takimet e Ina Ramës me Kryeministrin Berisha kanë sjellë pakënaqësi nga ana e grupit hetimor, ku kërkesa për kasetën e mbledhjes së qeverisë nuk është realizuar nga oficerët e policisë gjyqësore, por me një shkresë zyrtare nga ana e kryeprokurores. Pikërisht ky veprim, duket se i ka lënë me "gisht në gojë" trupën e hetuesve të çështjes, të cilët ende kanë të njëjtin mendim me ish-kryeprokurorin Sollaku, se rruga "patriotike" po ndërtohet duke shkelur ligjet e shtetit shqiptar. Gjithsesi, stafi i kryeprokurores deklaron se "fati" i hetuesve qëndron në konkluzionet përfundimtare që do të paraqesin. Nëse ka ndonjë përfundim ndryshe nga ai që prokuroria ka paraqitur në Parlament për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha, atëherë ndaj tyre do të merren masa ndëshkimore. Gjithsesi, çështja është "thikë me dy presa", pasi nëse do t‘i shkojnë deri në fund këtij procesi hetimor, atëherë reforma ndaj tyre mund të kryhet me transferime në prokuroritë e rretheve, ku prokurorët e Durrës-Kukës mund të gjenin një vend "drejtuesi" të prokurorive në rrethe të largëta të Shqipërisë. Por "kulisat" e trupës së prokurorëve nuk përfundojnë me kaq, pasi një skenar tjetër është gati. Ata mund të justifikohen se masat ndëshkimore dhe transferimi i tyre mund të realizohet si rezultat i vullnetit politik që solli në krye prokuroren e re. Por një gjë është e sigurt në akuzën qendrore, ku gjithçka pritet të zyrtarizohet vetëm pas një vendimi përfundimtar të hetimeve të rrugës Durrës-Kukës. Vendimi është i prerë: A do të shkojë në gjyq për korrupsion ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha? "Frika" e një përgjigjeje të prerë ekziston në akuzën qendrore, ku përgjigjja e tyre është e thatë "s‘kam asnjë koment". Madje, prokurorët e çështjes denjojnë të deklarojnë nëse qeveria, që kanë "sulmuar" në momentin e konfliktit prokurori-mazhorancë, i ka kthyer përgjigje pozitive kryeprokurores Ina Rama për të sekuestruar kasetën e mbledhjes së qeverisë ku u diskutua për mënyrën sesi do të ndërtohej rruga Durrës-Kukës. Disa ministria apo zv/ministra, kundërshtuan nismën e Ministrisë së Transporteve, në atë kohë e drejtuar nga Basha. Pikërisht për këtë veprim, prokurorët shprehen se "hetimi është sekret", por nuk deklarojnë se pikërisht sekretet e organit qendror të akuzës janë bërë publike, madje në formën e dokumenteve, në kohën që prokuroria drejtohej nga Sollaku. Duket se emërimi i kryeprokurores ka frikësuar në hetime të gjithë trupën e prokurorëve në akuzën qendrore, ku të gjithë janë në pritje...
Braçe: Kostoja e rrugës, 694 euro në minutë
"Kryeprokurorja, një kukull në duart e Berishës"
Numri dy i socialistëve, Erion Braçe, sulmoi dje ashpër kreun e akuzës duke iu referuar hetimeve për rrugën Durrës-Kukës. Kryeprokurorja Ina Rama u cilësua prej tij, si një kukull e bukur në duart e Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa nuk kemi hetime për të zbardhur të vërtetën mbi këtë ngjarje. "Nuk kemi hetime nga komisioni i posaçëm hetimor parlamentar, që mazhoranca ngriti me dhunë, për të hetuar gjoja procedurat e ndërtimit të kësaj rruge, madje, kemi dështim të atij komisioni", konstatoi Braçe. Duke vënë në dukje se gjithashtu, nuk kemi hetime ende nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak të pengesave që qeveria e Kryeministrit Berisha ka hapur mbi këtë hetim. "Mjafton t‘ju referoje thjesht në kronikat tuaja të djeshme, dhe kjo ishte e vërteta më e madhe, në sjelljen e Kryeministrit gjatë ditës së djeshme, se si u zgërdhi një tufë burrash, të përfshirë në vjedhje, kur gazetarët tuaj pyetën Kryeministrin, se a do t‘i përgjigjet prokurorisë për hetime", tha Braçe. Sipas të cilit, ajo e qeshur epike, folklorike e Kryeministrit dhe çetës së tij, dëshmon më së miri, që ne nuk kemi Prokuror të Përgjithshëm në Shqipëri. "Që qeveria e sotme, e konsideron Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, të vetin, për më tepër, kukull të bukur, të vetën", nënvizoi Braçe. Prokurori i Përgjithshëm, shtoi ai, në vëmendje, si institucion, të qeverisë, është thjesht një e qeshur folklorike. Veprimet ligjore të Prokurorisë së Përgjithshme për qeverinë e Republikës së Shqipërisë sipas socialistëve nuk ekzistojnë. Braçe insistoi se madhështia e vjedhjes, bën që në këtë rrugë, në vend të 8 korsive të kemi 4, në vend të 4 tuneleve, të kemi 2; në vend të tuneleve me 5 yje, të kemi tunele me gëlqere mbi beton. "Qeveria mburret që paguan 30 milion euro në muaj faturë për ndërtimin e kësaj rruge. Që do të thotë, që harxhon 1 milion euro në ditë, që do të thotë që harxhon 41.666 euro në orë, që do të thotë që harxhon 694 euro në minutë", theksoi Braçe. Këto, sqaroi ai, nuk janë kosto e ndërtimit të rrugës, por janë kosto të rrugës dhe vjedhjes së rrugës. Numri dy i deputetëve socialistë, mendon se rruga po ndërtohet me paratë e shqiptarëve, pra me paratë e taksave të shqiptarëve, ato që shqiptarët paguajnë çdo vit në buxhetin e shtetit të tyre. "Rruga, natyrisht që nuk po ndërtohet, as me paratë e familjes Berisha, as me paratë e familjes Basha dhe kjo duhet të jetë e qartë, që kur këta njerëz nxjerrin patriotizmin si alibi për ndërtimin e kësaj rruge, gjithë shqiptarët, këtu edhe në Kosovë, duhet të dimë, që nderi u bëhet 3 milionë shqiptarëve që paguajnë taksat në këtë vend", u shpreh Braçe. Ai këmbënguli sërish se ka qenë vullneti i Partisë Socialiste dhe i qeverive të saj, i inicimit dhe i gjithë vendimmarrjes ligjore për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, dhe veçanërisht thelbin e saj, rrugën Rrëshen-Kalimash. "Ka qenë vullneti ynë i shprehur dhe këmbëngulës, bazueshmëria në ligj e gjithë këtij procesi, e cila natyrisht do të sillte në mendje të të gjithë shqiptarëve konkurrencën dhe koston më të ulët, pra përjashtimin e vjedhjes", tha Braçe. Opozita pretendon se ka qenë konstatimi i FMN-së, i BB-së, i Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, i mbi një duzinë prokurorësh, dhe së fundi i PS-së, që në këtë proces nuk janë zbatuar ligjet e vendit, nuk janë zbatuar ligjet dhe standardet ndërkombëtare. "Deklaratat e fundit të FMN-së, të BB-së, të cilat të përkthyer në gjuhën e ligjit, nuk përbëjnë asgjë më shumë veçse aktakuzën e prokurorisë lidhur me procedurat e ndjekura nga zyrtarët e qeverisë dhe Kryeministrit Berisha, për të ndërtuar dhe vjedhur këtë rrugë", vlerësoi Braçe.
Bogdani
"Zoti Braçe duhet të shkojë të shikojë punimet që po bëhen në Durrës-Kukës dhe të mos ketë frikë se është i vogël dhe bie te tunelet dhe kanalet"
"Berisha? Pasuria po shtohet"
"Betimi i Kryeministrit, se do të shkrinte bizhutë e familjes së tij nuk u mbajt", deklaroi dje deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas tij, bizhutë në atë familje janë shtuar, për të mos thënë, që gjatë ndërtimit të kësaj rruge, pasuria e familjes Berisha është shtuar. "Jemi në javët kur duhet të bëhet deklarimi i pasurisë dhe para pelegrinazhit, i ftuar nga Kryeministri për të vizituar tunelet e Kalimashit, do të doja të kryeja dhe t‘ju ftoja të gjithëve ju, të bëjmë një pelegrinazh në rrugën ‘Mustafa Matohiti‘", u shpreh Braçe. Duke sqaruar se në pallatin e vetëm të asaj rruge do shikonim punimet apo madhështinë e punimeve në katin e 8, të pallatit të vetëm, në rrugën "Mustafa Matohiti". "Shikoni madhështinë e punimeve në katin e 8, për të kuptuar se si shtohet pasuria e qeveritarëve tanë dhe familjarëve të qeveritarëve tanë", konstatoi Braçe.