E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, ekspertët e qeverisë nën akuzë

Prokuroria e Tiranës po heton dyshimet për korrupsion në procesin e vlerësimit të dëmeve, pas shpërthimit në Gërdec

Dhjetë vlerësues të dëmeve po ndiqen penalisht për shkelje të detyrës, pas denoncimit të 58 familjeve

TIRANË- Korrupsion me tragjedinë. Abuzim me fatkeqësinë e mbi 58 familjeve të Gërdecit, në procesin e rivlerësimit të dëmeve në shtëpitë e tyre. Këto janë dyshimet e prokurorëve të Tiranës, të cilët i kanë kërkuar homologëve të policisë të ngrejnë një grup ekspertësh për të rivlerësuar dëmet në Gërdec dhe Marqinet.Shkak për këtë kërkesë, sipas burimeve nga organi i akuzës, është bërë fillimi i procedimit penal ndaj dy grupeve të ekspertëve, gjithsej 10 persona,të cilët muaj më parë ishin ngarkuar nga qeveria shqiptare për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës së Gërdecit.

“Qeveria, në bashkëpunim me bashkinë e Vorës, menjëherë pas ngjarjes së 15 marsit, ngriti grupe pune për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i rreth 700 tonëve barut që ndodhej brenda punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec. Nga këto vlerësime, shumë banorë të zonës shprehën pakënaqësi, duke akuzuar grupet e vlerësimit të dëmeve për mbajtjen e dy standardeve gjatë vlerësimit. Duke marrë shkas nga ankesat e shumta, prokuroria filloi procedimin penal për dy grupe pune prej 10 personash,puna e të cilëve ishte kontestuar. 58 familjet depozituan me shkrim pranë Bashkisë së Vorës pakënaqësitë e vlerësimit nga këto dy grupe dhe prokuroria e Tiranës, duke marrë shkas nga këto pakënaqësi filloi procedimin penal, duke e ndarë çështjen në dy dosje”,-thanë burimet pranë akuzës. Dy prokurorët, me marrjen e dosjes në dorëzim nga organet e policisë, kryen verifikimin e dokumentacionit të administruar në dosje dhe rishikuan denoncimet e banorëve të zonës, ku fillimisht rezultoi se në veprimet dhe mosveprimet e kryera nga dy grupet e vlerësimit të dëmeve ekzistojnë elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në 58 raste”-thuhet nga grupi hetimor.

Sipas prokurorisë, grupet e vlerësimit kanë nënvlerësuar dëmet reale, duke shkruar në procesverbalet e dëmeve të evidentuara shumë më pak se sa ishin realisht, vlerësim ky që ka irrituar banorët e zonës, të cilët në disa raste dolën në protesta duke bllokuar edhe autostradën Tiranë – Durrës. Sipas akuzës, edhe pse policia ka dërguar një raport që i vendos para përgjegjësisë dy grupet për “shpërdorim detyre”, prokurorët i kanë kërkuar sërish policisë për të ngritur një grup ekspertësh, që të bëjnë edhe njëherë rivlerësimin e dëmeve në 58 raste. Mësohet se 10 vlerësuesit e dëmeve në hartimin e procesverbaleve të përllogaritjes së dëmit kanë vendosur me votim, ku mes anëtarëve të grupit të vlerësimit ka pasur edhe disa vlerësues që kanë dalë kundër llogaritjes përfundimtare. Nga ana e saj, prokuroria ka marrë në pyetje këta vlerësues që kanë dalë kundër vendimit përfundimtar të përllogaritjes së këtij dëmi. Ndërkohë, gjatë pasdites së djeshme kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, është paraqitur në prokurori, për të dhënë shpjegime në lidhje me çështjen e vlerësimit të një objektit. Arsyeja e marrjes në pyetje, sipas vetë Ismalit ka qenë vlerësimi për një objekt, ndërkohë prokurorët e çështjes mohuan thirrjen dhe marrjen e tij në pyetje për çështjet e vlerësimit të dëmeve në Gërdec.

58

Familje të Gërdecit kanë denoncuar me shkrim procesin e vlerësimit të shtëpive të tyre, prej grupeve të ngritura nga qeveria. Ankesat e tyre po hetohen nga prokuroria e Tiranës

10

Ekspertë të vlerësimit po ndiqen penalisht nga prokuroria, për procesin e kompensimit të dëmeve. Ata akuzohen se kanë përdorur dy standarde në vlerësimin e shtëpive të dëmtuara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›