Ish-kryekomunarët e Kasharit, ulje dënimi pa filluar procesi
TIRANË- Ish-kryetarët e komunës së Kasharit, të akuzuar për skandalin e tokave përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit, pa filluar ende procesi gjyqësor. Prokuroria e Tiranës lexoi paraditen e djeshme kërkesën për gjykim ndaj shtatë zyrtarëve të komunës Kashar, të cilët akuzohen për vjedhje dhe tjetërsim prone me anë të dokumenteve të falsifikuara. “Shtatë të pandehurit kanë pranuar hetimin e prokurorisë, ndërsa tre prej tyre nuk kanë qenë dakord, ndaj edhe gjykata vendosi ndarjen në dy dosje të çështjes”,-pohuan dje burime nga gjykata. Për shtatë të pandehurit e tjerë: Alfred Sulaj, Bardhyl Kamberi, Faik Fejza, Islam Shera, Ismail Sulaj, Shefqet Alikaj dhe Xhevahir Hyka, të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar u lexua kërkesa për gjykim. Sipas prokurorit të çështjes, Armand Gurakuqi të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në kohë të ndryshme kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, duke pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, të cilët nuk kanë qenë banorë të komunës Kashar. Një veprim i tillë është kryer kundrejt përfitimeve të paligjshme të të pandehurve, të cilët nga shitja e këtyre tokave të vjedhura kanë përfituar miliona euro, madje, sipas hetimit, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit “Kashari”. Pas leximit të kërkesës për gjykim, seanca gjyqësore u shty për javën tjetër, që të japin shpjegime për akuzat vetë të pandehurit e kësaj dosjeje. Sipas prokurorisë, Alfred Sulaj, Naim Karaj dhe Faik Fejza, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për“korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”; “shpërdorim detyre”; “falsifikim i dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”; “pastrim i produkteve të veprës penale”; “mashtrim me pasojë të rëndë” të gjitha këto në bashkëpunim.