E Diel, 1 Nëntor 2026

Killeri Ilir Paja plagos policin që e identifikoi

Një efektiv i policisë kriminale është plagosur dje në mesditë pranë Medresesë në Tiranë. Policia ka identifikuar menjëherë si autor të ngjarjes shtetasin Ilir Paja nga qyteti i Beratit. Ai është arrestuar menjëherë nga policia. Paja ishte duke lëvizur me një automjet në Rrugën e Dibrës pranë Medresesë në Tiranë, kur pranë tij është afruar Blendi Haxhimihali, efektiv i policisë kriminale në Tiranë, ndaj të cilit ai ka qëlluar menjëherë me armë zjarri. Për pasojë ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë, ndërsa efektivë të tjerë filluan operacionin për ndalimin dhe arrestimin e super të kërkuarit. Dëshmitarë dhe punonjës të policisë dërguan për ndihmë mjekësore të plagosurin, ndërsa disa çaste më vonë u arrit kapja e Pajës, i cili ishte plagosur nga përplasja me Blendi Haxhimihalin. Të dy morën ndihmën e parë mjekësore në spitalin "Nënë Tereza", ndërsa punonjësi i policisë u dërgua për ndihmë të specializuar në Spitalin Ushtarak. Deri dje pasdite gjendja ishte serioze. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë vizitës për të plagosurin tha se do të ndihmojë në çdo mënyrë kurimin e Blendi Haxhimihalit. Ai tha se nëse është e nevojshme kurimi mund të kryhet në qytetin e Janinës në Greqi.

Plagosja e policit

Në një kohë që në Rrugën e Dibrës po kalonte kortezhi që po transportonte viktimat e tragjedisë së Farkës, disa metra më larg, rreth orës 12:00, ndodhi konfrontimi midis të kërkuarit dhe punonjësit të policisë. Efektivi i policisë kriminale, Blendi Haxhimihali, që kishte për detyrë ruajtjen e Ilir Pajës, është evidentuar nga ky i fundit dhe për pasojë ka ardhur konfrontimi. Paja, i cili po udhëtonte me një automjet tip "Fiat" me targa italiane, ka filluar ndjekjen e punonjësit të policisë, duke qëlluar disa herë. Haxhimihali, sipas dëshmitarëve, po udhëtonte me një motoçikletë dhe si pasojë e përplasjes me automjetin e Pajës është dëmtuar. Dëshmitë pranë vendit të ngjarjes nuk përcaktojnë nëse plagosja e punonjësit të policisë ka ndodhur nga përplasja me automjetin apo nga plumbat e Pajës. Gjithsesi, në vendngjarje kanë mbërritur dhjetëra uniforma blu, të cilat brenda pak minutash kanë bërë ndalimin e autorit të ngjarjes.

Arratisjet e Pajës

35-vjeçari Ilir Paja është person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani. Paja është arrestuar dhe pas disa muajsh dënim ka mundur të arratiset nga burgu, duke përdorur çarçafët si litar. Është ndaluar disa muaj më vonë në Itali dhe ndaj tij është shtuar edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen. Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Më pas është futur në një pyll dhe është zhdukur. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›