E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali 9/11 hapet me filmin “Hekurishtja”

Autori i Lajmit: red.
Filloi dje në Prishtinë edicioni i pestë i Festivalit të përkushtimit 9/11, në të cilin pritet të shfaqen 26 filma të zhanreve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Festivali u hap me shfaqjen e filmit fitues të edicionit të kaluar “Hekurishtja” të autorit Burim Haliti. “Ndihem shumë mirë që festivali fillon me filmin tim, i cili vitin e kaluar ka marrë vendin e parë për aktorin më të mirë, kamerën më të mirë dhe montimin. Në këtë festival unë do të konkurroj me filmin “Intervista””, - ka thënë Haliti. Ndryshe, sot e nesër shfaqen 26 filmat garues, të cilët janë të metrazhit të shkurtër me kohëzgjatje prej 10 deri në 25 minuta, kurse në mbrëmjen e fundit, më 11 shtator, do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për filmat fitues. Filmat do të shfaqen në Teatrin Kombëtar duke filluar nga ora 21. Festivali është përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, komuna e Prishtinës, aeroporti i Prishtinës, Kosovafilmi dhe nga donatorë të tjerë privatë. Gjithashtu, festivalin e ka mbështetur edhe ambasada amerikane në Kosovë. Ky eveniment mbahet në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën mijëra qytetarë të pafajshëm.

Ky lajm është publikuar: 09/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›