E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Rama-Meta, bashkë në qeveri

Ish-kryeministri Pandeli Majko mendon se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të bëjë lëvizje në favor të së djathtës. Në një intervistë për "Shqip", anëtari i Kryesisë së PS-së analizon situatën politike, duke vlerësuar se duhet përjashtuar rasti që ndonjëherë LSI të jetë në qeverisje, le të themi me Partinë Demokratike. Sipas tij, pavarësisht situatës së turbulluar për momentin, e ardhmja e bashkëpunimit të Partisë Socialiste dhe LSI-së sigurisht që do jetë efektive dhe reale. Për Majkon dyshja Rama-Meta ka dhënë prova suksesi dhe cilat do qofshin rrugët në të cilat këto dy parti do hyjnë në zgjedhje, pas tyre do marrin së bashku përgjegjësitë e qeverisjes. Ish-sekretari i Përgjithshëm mendon se logjika e koalicioneve s‘ka pse mbërthehet te kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm. Ndërsa shton se normalisht forca që ka atributet e fitores së zgjedhjeve propozon Kryeministrin. Për Majkon, reforma zgjedhore nëse vazhdon siç është menduar deri më tani, do jetë edhe një reformë e sistemit politik në Shqipëri.

Zoti Majko, ndryshe nga çfarë ishte parë, kohët e fundit pozita dhe opozita gjetën një gjuhë të përbashkët për reformën në sistemin e drejtësisë. Si e konsideroni këtë klimë të re politike mes dy partive kryesore?

Dialogu është i pashmangshëm në politikë. Për më tepër do të ishte shumë absurde që në një situatë të tillë që po kalon vendi të diskutonim për konflikt dhe jo për dialog. Kemi të bëjmë me disa reforma që kërkojnë jo vetëm votën e mazhorancës, por edhe të opozitës. Nuk është hera e parë që kjo ndodh në Shqipëri, por ky moment duhet të kthehet në normalitet e jo të diskutohet si ngjarje e jashtëzakonshme fakti se ekziston dialogu midis mazhorancës dhe opozitës në vendin tonë. Jemi mësuar me një histori deri diku të hidhur mes mazhorancës dhe opozitës dhe duket sikur po ndodh ndonjë e re që s‘ka ndodhur më parë, fakti se për reformat madhore që kanë lidhje me integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian ka dy palë që diskutojnë qetësisht lidhur me atë çka mund të bëjnë në një situatë të caktuar. Sigurisht që kjo nuk mund të nxisë ide se paktet, marrëveshjet apo dialogu bëhet kundër një pale të tretë. Sepse nuk mund ketë një palë të tretë kundër të cilës bëhen reformat e integrimit dhe standardeve demokratike në Shqipëri. Por a mund të ketë të pakënaqur kjo situatë? Sigurisht që mund të ketë të pakënaqur, por mendoj se gjithsesi situata ishte e nevojshme të ndodhte në një kontekst dhe moment të tillë. E konsideroj jo të nevojshëm por të domosdoshëm faktin se dialogu midis mazhorancës dhe opozitës ishte i nevojshëm. S‘e kam fjalën vetëm për reformën në drejtësi, por dhe për atë që ka të bëjë me reformën në sistemin politik në vendin tonë.

Ndryshe nga sa ndodh për reformën në drejtësi, reforma zgjedhore nuk po jep asnjë produkt konkret. Çfarë mendoni se po e pengon realizimin e saj?

Kur diskutohet për reformën zgjedhore, diskutohet për të ardhmen e pushtetit në Shqipëri. Ndaj ngecjet në një situatë të tillë i pranoj me një lloj ironie që mund të quhen edhe të pranueshme. Aktualisht, nëse mund të flitet me një gjuhë jo shumë diplomatike, klasa politike shqiptare po përgatitet të përmbyllë një periudhë të saj për të filluar një tjetër edhe në logjikën e reformimit të sistemit politik. Nuk besoj se çështja e pavarësisë së Kosovës apo elementë të tjerë që kanë të bëjnë me integrimin në NATO dhe BE janë të mjaftueshëm për të thënë se po mbyllim një periudhë. Gjithsesi, besoj se mund të themi se kjo po ndodh në mënyrë të natyrshme brenda gjirit të klasës politike. Diskutimi i reformës zgjedhore sigurisht që ka ngjallur probleme, por dëshiroj të them se një pjesë e këtyre problemeve kanë ekzistuar gjithmonë. Pra, sa herë është diskutuar reforma zgjedhore, nuk ka pasur thjesht një ndarje mes të majtës e të djathtës, por edhe një tjetër mes partive të mëdha dhe të tjerave. Kjo për arsyen se partitë e mëdha janë më të orientuara drejt krijimit të një sistemi dypolar dhe një qeverisjeje të qëndrueshme, kurse nga partitë e vogla është kërkuar një moment më elastik lidhur me këtë çështje. Ajo që mund ta them me bindje është se fakti më pozitiv i asaj çka po diskutohet sot janë baza mbi modelet ekzistuese në demokracitë perëndimore. Pra nuk do të jetë një shpikje alla-shqiptare për interes të një force të caktuar politike. Si moment negativ të këtij procesi do të nënvizoja faktin se një pjesë e kësaj historie po bëhet në media. Mungon tavolina, e cila mund të jetë edhe përballë medias, pra tavolina e komisionit të reformës zgjedhore. Kjo natyrisht që ka krijuar disa ngërçe, por mendoj se këto janë kalimtare. Sigurisht që ka një tension dhe presion pozitiv nga ana e faktorit ndërkombëtar, që sa më shpejt klasa politike të japë përgjigje në këtë drejtim. Gjithsesi, jam i prirur ta shikoj me pozitivitet këtë moment.

Duke u bazuar në përvojën tuaj politike, cila mendoni se është formula e duhur për demokracinë shqiptare, për sa i takon sistemit zgjedhor, listave të kandidatëve dhe pragut kushtetues për hyrjen në Kuvend?

Nuk dua të jem pjesë e asaj që siç jua thashë pak më lart e konsideroj fenomen negativ, që diskutimi rreth reformës zgjedhore të jetë në media. Sigurisht që kam mendimet e mia, por ajo çka dua të nënvizoj si moment deri diku delikat është fakti se partitë e mëdha kanë qenë të grupuara, le të themi e majta deri diku në Shqipërinë e jugut dhe Partia Demokratike në pjesën veriore. Një moment më proporcional do të sillte edhe një përfaqësim të votave të jugut për të djathtën dhe atyre të veriut për të majtën. Mendoj se kjo do të sjellë edhe një balancim deri diku edhe psikologjik shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet e klasës politike me realitetin dhe publikun shqiptar. Po ndaloj këtu sepse mendoj se dhënia e mendimeve të tjera nuk i shërben asaj që sapo thashë. Reforma nuk ka nevojë për dhënie mendimesh në gazeta e televizione, por për diskutim në tryezën e komisionit të posaçëm parlamentar. Një komision që për mendimin tim është me autoritet duke pasur parasysh figurat që bëjnë pjesë në të.

Para pak ditësh kreu i LSI-së, ndikuar nga reforma zgjedhore, deklaroi krijimin e një koalicioni të ri opozitar, duke lënë mënjanë Partinë Socialiste. Më shumë se kaq ai anatemoi ashpër lidershipin socialist dhe kryetarin e partisë më të madhe të opozitës. Si e gjykoni këtë lëvizje të re?

Personalisht jam ndjerë i habitur për një evolucion të tillë. Mendoj se gjithsesi kjo do jetë një histori që do kërkojë shpjegime në vazhdim. Për një gjë jam i bindur, që e ardhmja e qeverisjes së majtë, kurdo që ajo të vijë, do të jetë një bashkëpunim mes forcave të majta. Nuk jam i opinionit se Lëvizja Socialiste për Integrim mund të bëjë lëvizje në favor të së djathtës. Jam i bindur, me aq sa njoh kolegët e mi te LSI-ja, se duhet përjashtuar rasti që ndonjëherë LSI të jetë në qeverisje, le të themi me Partinë Demokratike. Nga ky kontekst mendoj se pavarësisht situatës së turbulluar për momentin, e ardhmja e bashkëpunimit të Partisë Socialiste dhe LSI-në sigurisht që do jetë efektive dhe reale.

Përballë idesë së hedhur shumë herë për bashkimin apo federimin e së majtës, kemi dy grupe PS-PSD dhe LSI-PDS-PAD. Nga çfarë po vuan e majta në këto momente zoti Majko?

Reforma zgjedhore që po diskutohet do jetë edhe një reformim i sistemit politik, nëse do të kryhet siç ka nisur. Nuk mendoj se ai do jetë një reformim i sistemit politik thjesht me një "happy end", do të ketë shqetësimet e veta, për të mos thënë edhe traumat e veta. Gjithsesi, padyshim që të gjithë po bashkohen në logjikën se ajo është një reformë e nevojshme për të garantuar disa cilësi që për momentin janë verifikuar që sistemi aktual zgjedhor i shkruar në Kushtetutë ka shprehu disa disbalancime, siç ishte rasti i fenomenit dushk në zgjedhjet e fundit. Në çdo rast mendoj se debatet nuk duhen parë si një termet, por si një pjesë e natyrshme e procesit.

Sakaq, zoti Majko, pritet të hyjmë në një vit elektoral. Kriza mes të majtës do të ishte ndoshta fatale. Cila mendoni se duhet të jetë strategjia me të cilën duhet paraqitur në zgjedhje?

Këto janë histori që do zhvillohen në të ardhme. Është ende herët për të dhënë prognoza, qoftë edhe për të bërë analiza. Mendoj se gjithçka do të jetë e lidhur me mënyrën se si do shkojë reforma zgjedhore, llojin e sistemit apo modelit që do zgjidhet. Do të ketë edhe trajtime të balancave politike, qoftë brenda të majtës, apo në koalicionet para apo pas zgjedhore. Në konkluzion të fundit jam i prirur të besoj se e majta ka kuptuar prej kohësh që e ndarë nuk realizon as nga ana psikologjike një efikasitet, jo thjesht te votuesit tradicionalë, por edhe tek ata që janë të lëkundur deri në 24-orëshin e fundit të zgjedhjeve.

A dëmtohet imazhi i opozitës para elektoratit nga akuzat e hapura publike mes eksponentëve të saj?

Kjo është një opozitë e lirë. Nuk i bën debatet e saj me të folur në vesh, siç mund ta shikojmë shpesh te pakënaqësitë që ekzistojnë në gjirin e së djathtës. Mendoj se deklarimi me zë të lartë i pakënaqësive në thelbin e vet nuk sjell ndonjë prognozë të keqe në të ardhmen e afërt. Gjërat sigurisht që duhen parë me qetësi dhe realizëm për atë se si mund të ndryshohet balanca e një qeverisjeje që realisht nuk po sjell elemente pozitive në marrëdhëniet e saj në radhë të parë me qytetarin.

Ju keni qenë Kryeministër në kohën e qeverisjes së Partisë Socialiste. A shikoni një mundësi që Kryeministri i ardhshëm të jetë një figurë nga partitë e vogla (ndoshta nga LSI), duke ja hequr këtë të drejtë Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj?

Nuk dua të futem në këtë debat. Si rregull në Perëndim, partia kryesore që merr përgjegjësinë e fitores së zgjedhjeve merr edhe ato të qeverisjes. Është një rregull i pashkruar dhe goxha i respektuar që ka të bëjë në radhë të parë me përgjegjësinë para votuesve. Kryeministri në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë ka shumë përgjegjësi, pra një Kryeministër që funksionon thuajse me një sistem kancelar, gjë që rrit shumë përgjegjësinë e qeverisjes, sidomos te figura e Kryeministrit. Në çdo rast mendoj se logjika e koalicioneve nuk ka pse mbërthehet te kush do të jetë Kryeministri dhe kjo të krijojë pastaj një gjenerim historish negative. Nuk kemi pse shpikim, por të shohim se si modelet ndërkombëtare zgjidhin situatat analoge me rastin tonë.

A e shikoni funksionale dyshen Rama-Meta në rolin e lidershipit të së majtës me synim rikthimin në pushtet?

Mendoj se e kanë provuar me efikasitet se koalicioni i opozitës në zgjedhjet lokale tregoi superioritet. Në çdo rast zgjedhjet lokale mbeten të vështira për opozitën, pasi kur një koalicion politik ka pushtetin qendror, nuk hyn nga një stad i barabartë me opozitën. Fakti se koalicioni i 18 shkurtit tregoi forcë, sidomos në qytetet e mëdha, mendoj se është një sinjal shumë pozitiv për t‘u përcjellë në zgjedhjet e pritshme politike. Mendoj se ky do ishte skenari më i mirë për të majtën, por edhe nëse do dilnim të ndarë, bazuar në interesat e modeleve të reformës së kryer, kjo besoj nuk do ishte diçka e jashtëzakonshme. Ajo për të cilën jam i bindur është se koalicioni i së majtës në qeverisje do të ishte i padiskutueshëm. Në çdo rast pra, PS dhe LSI, ngado që t‘i marrin rrugët për në zgjedhje, do të bashkohen në procesin e marrjes së përgjegjësive të përbashkëta për të qeverisur vendin.

Ndërsa presin produkte konsensuale dhe marrëveshje mes blloqeve politike, apo mes vetë partive të opozitës, shqiptarët po paguajnë shtrenjtë jetën e përditshme. Në këndvështrimin tuaj prej ish-kryeministri, si po qeveris zoti Berisha?

Nuk besoj se ka nevojë të flitet gjatë rreth kësaj situate ku ndodhemi. Përgjithësisht për ministrat e paaftë apo të korruptuar thuhet se duhen futur në burg. Mendoj se për rastin e një pjese të kabinetit Berisha ka një dënim më simbolik, ata duhen çuar në shkollë. Nuk e them këtë as për humor, as për ironi, por në shumë raste paaftësia e tyre zbret në kufij aspak të logjikshëm. Ka një mungesë menaxhimi në disa sektorë që lënë për të dëshiruar. Nuk është fjala vetëm për të folur me logjikën e opozitarit që kundërshton çka bën qeveria, por është një tërmet ekonomik që sa vjen dhe rritet në drejtim të xhepave të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të kalohen këto thjesht me referenca të përgjithshme, duke marrë lavdërime të shkruara nga ndonjë institucion ndërkombëtar për këtë apo atë arsye. Kur realisht ajo çka quhet histori ekonomike nuk zhvillohet larg Shqipërisë, por në tregun vendas, ku çmimet lëvizin me një shpejtësi marramendëse që s‘ka ndodhur për vite më radhë. Qeverisja nuk është një proces që zhvillohet me reklamë, por në marrëdhënie me qytetarët. Në këtë pikë, doktori dhe të vetët janë duke regjistruar një disfatë jo të vogël, që do ketë pasojat e saj në zgjedhjet e vitit 2009.

A mendoni se Shqipëria, pavarësisht këtyre problemeve, do arrijë të sigurojë një ftesë për anëtarësimin në NATO? Ka zëra se nëse do lëshohet një ofertë e tillë nga Samiti i Bukureshtit, ajo do jetë më shumë një ftesë e kushtëzuar dhe jo e plotë?

Në çdo rast besoj se do ketë një ftesë të kushtëzuar për shkak të njohjes së situatës në Shqipëri mjaft mirë prej faktorit ndërkombëtar. Askush nuk mund të pretendojë se hiletë e vjetra mund të bëhen pjesë e historisë së re të marrëdhënieve të Shqipërisë me procese që nuk janë vetëm të saj, por rajonale. Në çdo rast, dhe sidomos pozicioni i opozitës në këtë proces, i lavdëruar dhe i theksuar këto kohë, i jep pikë opozitës dhe vë në pozitë të vështirë qeverinë e zotit Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›