E Diel, 1 Nëntor 2026

Intifada e Serbise

Para përfundimit të procesit të
përcaktimit të statusit të Kosovës,
analistë të shumtë kishin
parashikuar se moszgjidhja e
këtij procesi do ta palestinizojë Kosovën.
Askush nga këta analistë gjeopolitikë
dhe gjeostrategjikë nuk e parashikoi
se mund të ndodhë edhe e kundërta,
palestinizimi i Serbisë. Por ja që ndodhë
edhe kjo! Pas shpalljes së pavarësisë së
Kosovës, shtetet perëndimore e pranuan
shtetin më të ri të Evropës, ndërsa serbët
mbetën duke gjuajtur me gurë dhe duke
protestuar...
Me Rusinë...
Për fatin e Serbisë nuk është kujdesur
askush, si para ashtu edhe gjatë përcaktimit
të statusit të Kosovës. Shumë
analiza retorike janë bërë për atë se çfarë
mund të ndodhë, nëse ky status nuk
përcaktohet menjëherë, nëse shumica
e vendeve evropiane në momentet e
fundit heqin dorë nga përcaktimi i këtij
statusi, nëse shqiptarëve u shpërthen
durimi, nëse serbët nisen drejt Kosovës
ose nëse ushtria serbe hyn atje. Derisa
imagjinoheshin të gjithë këta skenarë,
mendohej se rolin kryesor do ta luajë
Moska zyrtare dhe nga ana tjetër, Serbia
e mpirë nga fjalët dhe jo veprat ruse, e
imagjinonte veten në një botë me të
fortët, vetëm e vetëm se mbështetej
nga Rusia. Beogradi zyrtar nuk hartoi,
madje as nuk e mendoi ndonjë skenar të
mundshëm, se çfarë duhet të bënte nëse
Rusia i kthen kurrizin, nëse interesat e
saj nuk përputhen me samarin serb,
dhe nëse rusët nuk mund të sakrifikojnë
gjithçka vetëm se në krah kanë Koshtunicën
dhe Nikoliçin.
Duke jetuar me edukatën e popullit
të viktimizuar, si në kopsht, shkollë,
universitet ose kishë, çdo predikim i
llojit tjetër do të tradhtonte historinë
dhe mitet serbe që u përfolën me vite
të tëra. Nëse beteja e Kosovës mund të
festohet edhe pse është humbur, nëse
Kosova mund të quhet serbe edhe pse
nuk u serbizua në asnjë mënyrë, nëse
Millosheviçi mund të quhet hero edhe
pse ka vrarë vetëm gra e fëmijë, kjo
klasë politike nuk mund ta provojë edhe
variantin më të keq të mundshëm në
renditjen e re botërore, të dalë në krah
të Rusisë.
Edhe pse historia e Serbisë ka
dëshmuar se në kohërat kur ka kundërshtuar
daljen në këtë krah, ishte shumë
më mirë, në realitetin e sotëm, kur
Rumania, Bullgaria, Shqipëria e madje
edhe Mali i Zi fqinj kanë si aleatin më të
ngushtë SHBA-në dhe nuk e ndërrojnë
për asgjë në botë, Beogradi zyrtar gjen
shpëtim pikërisht te Moska. Te kjo diplomaci, e cila e do Sadamin për inat të
Uashingtonit, i mbron talebanët se nuk
njohin bashkëpunimin dhe janë kundër
shqiptarëve të Kosovës, sepse nuk e përqafuan
dot kurrë draprin dhe çekanin.
Me drapër e çekan sot Rusia po ha bukë
vetëm në Serbi, me atë që zhvilloi shumë
luftëra, vrau shumë njerëz, dhe hallin
më të madh e ka me ata që vranë dhe
nuk kanë se ku të shkojnë, duan sërish
të vrasin dhe u kanë mbetur vetëm
komshinjtë për tabelë qitje, sepse aty ku
luftuan, krijuan shtet dhe vetëm serbë
nuk ishte. Kjo fuqi e madhe ballkanike
u tkurr shumë, tytat dhe fishekët nuk i
punojnë më.
Intifada serbe
Asnjë shqiptar i Kosovës nuk do ta
kishte menduar skenarin më komik të
mundshëm në kufirin kosovar, ku ata
ngrenë flamurin, ndërsa serbët gjuajnë
me gurë. Madje, bazuar në luftërat e zhvilluara
ballkanike dhe historinë e fqinjëve
serbë, nuk do të mund të imagjinoheshin
pozicione të tilla serbe, ku serbët
do të mbeteshin pa tekst, pa armë dhe
pa trima për ta mbrojtur "Djepin..."
e tyre, ku s‘ka serbë që mund të flenë
gjumë. Kur filloi procesi i përcaktimit të
statusit të Kosovës, serbët dhe Beogradi
zyrtar nuk u morën seriozisht me këtë
proces. Në çdo takim, seminar, kongres
apo kulisë diplomatike, ata flisnin për
një Kosovë me fondamentalistë, e cila do
të palestinizohet, në mungesë të statusit,
i cili sipas tyre, nuk do të mbështetej
nga bota perëndimore.
Por ja që bota perëndimore nuk
është edukuar me frymën e Koshtunicës
dhe Nikoliçit, dhe pavarësinë e
Kosovës e pranoi. Nuk e mendoi as si
djep dhe as precedent i rrezikshëm,
ndërsa palestinizimin si fenomen e
la ta studiojnë të gjithë ata që jepnin
formula të çuditshme për këtë vend të
dhunuar nga ish-shteti i tyre, në të gjitha
mënyrat. Kështu, fondamentalistët
serbë u mirorganizuan, nën maskën e
refugjatëve serbë nga Kosova, ata filluan
intifadën e tyre serbe, e cila nuk dihet
se sa do të zgjasë, por burimin nuk e ka
në Beograd dhe askund tjetër. Kufijtë
e Kosovës, duke mos qenë të kufizuar
me shkretëtirë, do të kenë një tjetër
përkujdesje, nuk do të ndërtohen në
asnjë mënyrë me mur, dhe nuk do ta
armiqësojnë askënd. Guri i gjuajtur nuk
do ta ketë përgjigjen e merituar, sepse
Kosova duhet të shkojë drejt zhvillimit,
ndërsa djegiet e postave kufitare do të
shuhen vetëm me ujë.
Intifada e filluar, me ata që vranë në
vitin 1999 dhe dietat i morën para ca
ditësh, në mënyrë që t‘i përdorin për beteja
të reja, një ditë do të pushojë, sepse
ky rajon nuk do të palestinizohet në asnjë mënyrë. Për palestinizim duhen dy
palë, intifadës serbe i mungon tjetra, ajo
që do t‘i bëjë me gisht ose grusht, se nga
vijnë dhe nga duhet të shkojnë. Serbët
mund të shkojnë e vijnë në Kosovë nga
të duan, por vetëm për të jetuar dhe punuar,
e në asnjë mënyrë për urrejtje dhe
luftë, ose për gurë e konflikte. Koshtunica
mund ta parapëlqejë strategjinë
e Jasinit, këtë askush nuk mund t‘ia
ndalojë, por ata gurë mund t‘i gjuajë mbi
ithtarët e Tadiçit apo siç bëri mbi policët
e pafajshëm serbë, që në kryeqytetin e
Serbisë u lënduan nga serbët. Nëse këta
gjuajtës të gurëve, Kryeministri i Serbisë
nuk i ndalon, ata do t‘i kthehen shtëpisë
së tyre, asaj që i nxiti në luftë, i armiqësoi
me të gjithë fqinjët dhe sot mburret
me një Rumani të vetme, që mbështet
interesat dhe idetë serbe, duke e quajtur
mbështetjen e pavarësisë si precedent i
rrezikshëm.
Vojisllav Koshtunica mund t‘u ofrojë
gurë këtyre njerëzve që mundohen të
tensionojnë situatën në Kosovë, ndoshta
edhe për shumë kohë, por historinë
nuk do të mundet ta kthejë mbrapsht.
Keqtrajtimet, përdhunimet, vrasjet dhe
dëbimet e shqiptarëve nga të gjitha regjimet
serbe, Koshtunica dhe Putin nuk i
zhbëjnë dot, pavarësinë e Kosovës nuk e
ndalën dot, ndërsa palestinizimin askush
nuk ua solli, e gjetën në mesin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›