E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, replika Basha-Leskaj



Erald Kapri

Liberalizimi i vizave, që pritet të ndodhë në fund të vitit, nuk lejon migrimin e qytetarëve në vendet e BE-së, por ekziston frika se qytetarët mund të nxiten për të migruar. Maxhoranca dhe opozita kanë trajtuar dje këtë temë, ku ndonëse të dyja palët e kanë si shqetësim migracionin, përdorin argumente të kundërta. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe deputetja e opozitës Valentina Leskaj morën pjesë dje në Konferencën Kombëtare mbi Rishqyrtimin e Politikave të Bashkimit Evropian për Migracioninþ, të organizuar nga shoqëria civile. Në tryezë u theksua nevoja për të ndryshuar politikat e migrimit, por Leskaj theksoi se Shqipëria ka potencial të lartë migrimi. “Disa faktorë që kanë ndikuar në emigrimin e shqiptarëve janë faktorë të ndërlidhur nga njëri-tjetri. Mbështetur nga disa të dhëna krahasuese, unë doja të thoja se sot Shqipëria në radhë të parë për shkak të numrit është një vend me potencial migrator shumë të lartë. është një vend me potencial të lartë migrator, sidomos për frymë të popullsisë, po ta krahasojmë me vendet e rajonit dhe përgjithësisht nuk doja ta krahasoja me të gjithë Evropën. I bie që të ketë një fluks gati tre apo katër herë më të lartë” argumentoi Leskaj. Nga ana e tij, ministri Basha tha se Shqipëria ka bërë hapa para, duke paralajmëruar se kufijtë janë të sigurt. Ai tha se në kufi janë instaluar pajisje moderne. Ministri u shpreh se nisur nga përvoja e vendeve të tjera, shpresohet që liberalizimi i vizave nuk do të rrisë migracionin. “Nisur edhe nga përvojat e tre vendeve që kanë përfituar liberalizimin e vizave, Shqipëria është angazhuar në një fushatë intensive për të informuar qytetarët e saj, se procesi i shumëdëshiruar i liberalizimit të vizave, do të thotë lehtësim i lëvizjes së lirë të tyre dhe jo i qëndrimit dhe punësimit, duke shpresuar se liberalizimi i vizave nuk do të rrisë migracionin”, tha Basha. Nga ana e saj, deputetja Leskaj kërkoi që të miratohen politika të reja për migrimin pasi, sipas saj, migracioni po kthehet në afatgjatë. “Unë besoj se vlen të konsiderohet një dukuri tjetër që ka të bëjë me migracionin shqiptar, pasi duhen politika të veçanta dhe ka nevojë për politika shtetërore, pasi po kthehet nga një migracion afatshkurtër në një migracion afatgjatë, nga migracion klandestin në një migracion të ligjshëm. Për shembull sot në Greqi raportet janë 3 me 1”, tha Leskaj.
Ministri Basha tha më tej se politikat kanë qenë të suksesshme në bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së. “Përbërësit kompleksë të kësaj politike kanë sjellë rezultate të kënaqshme, veçanërisht për sa i përket disa problematikave të theksuara, që i përkasin të shkuarës, siç ka qenë fakti se Shqipëria dikur ka qenë vend i tranzitit për ekstrakomunitarët, ndërsa tani në sajë të përpjekjeve të koordinuara të autoriteteve shqiptare dhe një partneriteti të suksesshëm me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria nuk konsiderohet sot më një rrugë tranziti për trafikun e qenieve njerëzore”, deklaroi Basha. Sipas Ministrit të Brendshëm “edhe nga vlerësimi i partnerëve, nga qëllimi dhe përmbajtja, Shqipëria sot ka përafruar tërësisht politikat migratore me standardet e BE, ndërsa jemi të ndërgjegjshëm se kemi të gjithë përvojën për të vazhduar në këtë fushë, ku politika migratore padyshim do të përbëjë një dimension të rëndësishëm të procesit të integrimit në BE, që padyshim do të mbetet edhe në fokusin e punës së strukturave të Ministrisë së Brendshme”. Basha tha më tej se prej 6 vitesh është vlerësuar se trafiku përmes detit ka arritur në zero. “Ashtu sikurse është theksuar edhe nga partnerët, prej më se gjashtë vjetësh, numri i personave të trafikuar përmes Adriatikut ka arritur në zero, një sukses i patjetërsueshëm për një vend që dikur shënonte vetëm në humbje jete për shkak të trafikut të paligjshëm qindra të tillë çdo vit, për një numër të madh vitesh”, deklaroi ministri Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›