E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-PD përplasen në bulevard në 1 Maj



Aristir Lumezi

Në 1 Maj PS e PD do të jenë përballë njëra-tjetrës me mbështetësit e tyre. Njoftimet nga të dyja selitë ftojnë përkrahësit e tyre të zbresin në bulevardin kryesor e sheshin Nënë Tereza, sa më pranë njëra-tjetrës. Socialistët kanë njoftuar që prej dy muajsh për protestën pranverore të tyre para Kryeministrisë, ku i kërkojnë Qeverisë ose të reflektojë për hapjen e kutive ose të vetëlargohet. Të njëjtën kërkesë socialistët ngritën dhe gjatë protestës që zhvilluan në të njëjtin vend vjeshtën e kaluar, ndërsa tani përveç kërkesës për kutitë, ata e kanë veshur protestën e tyre dhe me terma ekonomikë, si kriza ekonomike, papunësia dhe rritja e çmimeve. Ndërsa Partia Demokratike do të organizojë një koncert të madh në sheshin "Nënë Tereza" nën sloganin "T'i themi Po Evropës", ku këngëtarë të njohur të muzikës do të këndojnë në skenë. Përmes këtij koncerti maxhoranca kërkon t'i bëjë një revokim të gjitha përpjekjeve që Qeveria shqiptare ka bërë për të afruar sa më shumë vendin pranë Bashkimit Evropian, në një kohë që ndodhemi vetëm pak javë larg marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave me BE-në. Por organizmi në një ditë i këtyre aktiviteteve pritet të acarojë nervat e simpatizantëve dhe përkrahësve të të dyja palëve, ku kërkohet shumë kujdes dhe monitorim i imtësishëm për të shmangur çdo incident. Në fakt socialistët do të protestojnë që në 30 prill në darkë e do të vazhdojnë edhe në datën 1 maj, atëherë kur të djathtët do të zbresin në sheshin "Nënë Tereza". Opozitarë të lodhur nga një natë qëndrim në bulevard dhe përkrahës të Qeverisë që do të dalin për të festuar në shesh pritet të jenë në një ballafaqim sa të largët edhe të afërt.
Policia
Mësohet se drejtoria e Policisë së Tiranës është në gatishmëri për të garantuar këto dy aktivitete të cilat do të zhvillohen njëkohësisht në një hapësirë jo shumë të madhe. Dje në mbrëmje Partia Socialiste ka çuar një kërkesë ku përmes së cilës kërkon leje për tubim në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Kërkesa e socialistëve është pranuar nga Policia e Tiranës, por në të nuk është detajuar as kohëzgjatja e protestës, por as hapësira territoriale që socialistët do të përdorin për këtë protestë. Mësohet se policia ka nisur negocimin për të përcaktuar detajet e protestës, mjetet që opozita do të përdorë gjatë saj si dhe kohën kur duhet të nisë vendosja e podiumit të protestës. Kujtojmë se gjatë protestës së 20 nëntorit 2009 përballë Kryeministrisë, nuk mungoi konfrontimi me policinë gjatë gjithë paradites së asaj dite. Socialistët kërkuan që të bllokonin bulevardin që gjatë paradites të datës 20 nëntor, ndërkohë që kishin kërkuar leje nga policia për këtë bllokim pas orës 14:00 të mesditës. Në selinë rozë atmosfera nuk të jep përshtypjen se kjo parti po përgatitet për protestën më të madhe të saj të organizuar ndonjëherë. Madje organizimi teknik i saj mbahet shumë sekret dhe nuk jepet asnjë informacion, përveç porosive që u jepen strukturave të bazës për të sjellë në Tiranë sa më shumë njerëz. Ende nuk dihet nëse do të vendosen çadra para Kryeministrisë ashtu siç ndodhi dhe në protestën e kaluar, për shkak të temperaturave të ngrohta pranverore, ndërsa ajo që thuhet me siguri është se protesta do të zgjasë disa ditë dhe kjo do të jetë në varësi të numrit të pjesëmarrësve.

Klosi: Protestë pa limit për largimin e Qeverisë
Sekretari organizativ në PS Blendi Klosi, tha dje se protestuesit socialistë do të qëndrojnë në shesh pa limit, deri kur të vijë një përgjigje për hapjen e kutive apo për largimin e Sali Berishës nga pushteti. "Protesta do të fillojë ditën e premte pasdite ku do të marrin pjesë më shumë se në datën 20 nëntor dhe do të mbarojë duke protestuar në mënyrë paqësore kur protestuesit të kenë përgjigje nga Qeveria, të kenë reagim qeveritar, të kenë reagim të maxhorancës, reagim të Sali Berishës për të hapur kutitë ose për të balancuar krizën politike në vend", thotë Klosi. Sipas Klosit janë marrë të gjitha masat organizative që në 30 prill, protestuesit të jenë më shumë se 100 mije vetë, në një nga tubimet më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë.

Shalsi: Berisha provokon me 1 Majin
Deputeti i Tiranës, Eduard Shalsi akuzoi dje kryeministrin Berisha se po provokon opozitën me koncertin e 1 Majit. "Sot pamë një provokator që në mbledhjen e Qeverisë doli për t'i bërë karshillëk shqiptarëve. Sot pamë sekretarin e partisë Sali, që njësoj siç bënte listat e punonjësve të spitalit për t'i nxjerrë me dhunë në parakalime. Saliu bën mirë t'i lerë provokacionet, por të zgjidhë krizën, që po e varfëron çdo ditë e më shumë çdo shqiptarë dhe që po e lë Shqipërinë ende larg Evropës. Ta zgjidhë krizën tani, sa ende nuk është vonë, pasi të premten do të fillojë të përballet me rezistencën më të madhe paqësore që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë", u shpreh Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›