Kreditë për shtëpi, rritet numri i zyrtarëve përfitues
Erald Kapri
Zyrtarët e lartë shtetërorë, por edhe personalitetet akademike dhe të jetës shoqërore mund të përfitojnë kredi nga shteti për banim. Këshilli i Ministrave miratoi dje një ndryshim në vendimin "Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë" duke përcaktuar se numri i kredive do të dyfishohet. Me pëlqimin e Kryeministrit, çdo institucion mund të bëjë kërkesë për kredi për banesë për zyrtarët e vet, por ky numër nuk kalonte më shumë se 100 vetë në vit. Me ndryshimet e djeshme, është bërë e mundur që të jepen 200 kredi në vit, me pëlqimin direkt të Kryeministrit Sali Berisha. Një ndryshim tjetër është edhe zgjerimi i kategorive të subjekteve përfituese të së drejtës për strehim, duke përfshirë edhe akademikët, personalitete të shquara në fushën e shkencës, artit, kulturës, të sportit dhe fushave të tjera. Vendimi përcakton se shqyrtimi dhe verifikimi i plotësimit të kritereve për përfituesit do të bëhet nga sekretarët e përgjithshëm të institucioneve dhe në rast se institucioni nuk e ka në organikë funksionin e sekretarit të përgjithshëm, nga titullari i institucionit.
Kushtet e kredisë
Të gjithë subjektet e vendimit që janë nga ministrat tek deputetët, por edhe zyrtarët e thjeshtë civilë, gjatë kohës së ushtrimit të detyrës apo të funksionit shtetëror, kur kanë nevojë për strehim a sipërfaqe banimi shtesë, u lind e drejta të kërkojnë trajtim, me kredi, me kushte lehtësuese. Listat për marrjen e kredive miratohen nga Kryeministri, me kërkesë të motivuar të ministrive dhe të institucioneve përkatëse dhe, më pas, dërgohen në bankën e përzgjedhur, e cila është e detyruar të respektojë renditjen e përcaktuar në këto lista. Me nevojën për strehim a sipërfaqe banimi shtesë, sipas këtij vendimi, do të nënkuptojmë rastin kur subjekti nuk disponon ose disponon më pak sipërfaqe banimi se kuota minimal. Konkretisht për strehimin, kur ka 50 m2 sipërfaqe banimi, subjekti i martuar dhe 42 m2, subjekti beqar, i ve ose i divorcuar. Në sipërfaqen e banimit nuk përfshihen korridoret, wc-ja, ballkonet, tarraca dhe mjediset e tjera ndihmëse, të tilla si depo apo sheshpushime. Për sipërfaqe shtesë banimi, kur ka jo më pak se 14 m2 për frymë, për çdo pasardhës, paraardhës apo person tjetër në ngarkim, që llogaritet sipas certifikatës së përbërjes familjare, të subjektit në çastin e aplikimit. Ata përfitojnë kredinë kur nuk kanë në pronësi të tyre, bashkëshortit ose bashkëshortes apo të çdo pasardhësi, paraardhësi a personi tjetër në ngarkim, pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi. Përfitojnë kur pjesëtarët e familjes nuk janë pjesëtarë në veprimtari tregtare, sipas ligjit për shoqëritë tregtare, apo nuk përfitojnë të ardhura nga veprimtari ekonomike a veprimtari të tjera fitimprurëse profesionale, përfshi edhe mësimdhënien. Njëkohësisht kërkohet që zyrtarët të kenë më shumë se 3 vjet vjetërsi pune. Nëse vërtetohen pavërtetësi në deklarim për kredi, atëherë kredia kthehet në kushte tregtare.
Zyrtarët që përfitojnë kredi për shtëpi
1- Anëtarët e Këshillit të Ministrave
2- Deputetët
3- Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm
4- Zëvendësministrat dhe personat e barazuar me ta, prefektët, dhe ushtarakët, me gradën e gjeneralit
5- Funksionarët politikë në kabinetet e Presidentit, të Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe të ministrave
6- Titullarët e institucioneve qendrore e në varësi të Kryeministrit apo të ministrit, titullarët apo drejtuesit ekzekutivë, të institucioneve qendrore, të pavarura, si dhe të punësuarit në sektorin publik, në kuadër të projektit "Brain Gain"
7- Nëpunësit civilë të administratës qendrore, nga drejtor drejtorie, deri te sekretar i përgjithshëm
8- Familjet e policëve dhe të ushtarakëve të rënë në krye apo për shkak të detyrës
9- Akademikë të të gjitha fushave
10- Personalitete në të gjitha fushat (shkencë, art, kulturë, sport)