E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Fule: Ka vlerësim shumë të mirë



Aristir Lumezi

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Stefan Fule dha vlerësime shumë të mira për çështjen e liberalizimit të vizave. Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi dje një takim të veçantë me Komisionerin e BE për Zgjerim dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë. Pas takimit me Ministrin e Jashtëm, Fule e cilësoi shumë të suksesshëm përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit nga Shqipëria. “Patëm një diskutim shumë të mirë rreth çështjes së vizave. Ka një vlerësim tashmë që është ndarë me vendet anëtare dhe me Parlamentin Evropian. Më duhet të them se është një vlerësim i mirë, i cili evidenton progresin e shkëlqyer që Shqipëria ka bërë në përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit”, u shpreh komisionieri për zgjerimin. Sipas tij, ka dhe dy-tre çështje që pritet të përmbushen shumë shpejt. “Janë ende dy-tre çështje të cilat duhet të adresohen, por mendoj se janë parakushte të cilat, le të themi se do të përmbushen përgjatë (njëkohësisht) procesit të përbashkët të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian gjatë këtij viti, për të konsideruar rekomandimet relevante të Komisionit, të cilat janë bazuar mbi këtë vlerësim shumë të mirë”, u shpreh Fule. Gjatë këtij takimi me Ministrin e Jashtëm shqiptar, Fule diskutoi mbi ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë si dhe rreth vlerësimit pozitiv që Komisioni Evropian ka dërguar në Parlamentin dhe Këshillin Evropian. Në këtë kuadër Meta dhe Fule biseduan edhe mbi perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të rajonit, duke u fokusuar tek Konferenca e Sarajevës që do të mbahet në Qershor. “Jam absolutisht dakord që patëm një shkëmbim shumë të mirë mendimesh rreth aspektit rajonal. Kemi folur patjetër rreth planeve për Konferencën e Sarajevës në Qershor, sepse përveç afirmimit të perspektivës evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo Konferencë do të fokusohet midis të tjerave në aspektin rajonal”, u shpreh komisioneri evropian për zgjerimin.

Meta: Berisha e Rama do takohen
Ministri i jashtëm Ilir Meta gjatë raportit në Parlamentin Evropian mbi zhvillimet në Shqipëri dhe reformat e Qeverisë. “Mendoj se ka ardhur koha të kuptojmë se gjithsecili duhet të japë kontributin e tij për përshpejtimin e procesit dhe shpresoj që ky është edhe vullneti i opozitës në vendin tim, pasi kjo PS ka dhënë një kontribut të madh në të shkuarën për axhendën e integrimit të vendit. Mendoj se kreu i PS dhe kreu i PD do të takohen sepse kjo ka ndodhur në të shkuarën me sukses siç ndodhi me kushtetutën dhe kodin elektoral. Dhe për të qenë më pozitiv një bashkëpunim i tillë, është në interesin e vendit dhe integrimit në Bashkimit Evropian”, tha Meta.

Takimet me eurodeputetët
Zëvendëskryeministri Ilir Meta argumentoi në Parlamentin Evropian zhvillimet politike në Shqipëri ndërsa eurodeputetët iu drejtuan atij pyetje rreth situatës. Kryetari i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan kërkoi rrugëzgjidhje për disa nisma legjislative që parlamenti shqiptar duhet të miratojë bashkë me opozitën. Por raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikolaos Chountis ka vënë në dukje se situata politike në vend ka hyrë në ngërç dhe përveç kësaj, ka edhe situata të tjera problematike. Nga ana e tij, Meta ka shprehur angazhimin e tij dhe të qeverisë për të gjetur zgjidhje, por ka kërkuar që opozita, para interesave të saj personale të verë interesat kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›