E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja, përfundon mandati i Abdiut e Sadushit



TIRANE - Përfundon mandati i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu. Paraditen e djeshme gjyqtarët e mbetur të këtij institucioni morën në shqyrtim kërkesën e kryetarit të kësaj gjykate Vladimir Kristo për mbarimin e mandatit të gjyqtarit Abdiu dhe kolegut të tij Sokol Sadushi. Në vendimin e Kushtetueses pohohet se Abdiu është zgjedhur gjyqtar i kësaj gjykate me vendimin numër 358, datë 23 prill 1998 të Kuvendit të Shqipërisë, për një mandat 12 vjeçar. Po kështu rezulton se gjyqtari Fehmi Abdiu, betimin para Presidentit të Republikës e ka bërë në datën 27 prill 1998. Për rrjedhojë bazuar në nenin 179/1 të Kushtetutës si dhe në nenin 8/3 të ligjit numër 8577, datë 10 shkurt 2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", data 27 prill 2010 konsiderohet edhe si datë e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Po kështu rezulton se Sadushi është zgjedhur me të njëjtin vendim të Parlamentit gjyqtar kushtetues për një mandat 12 vjeçar. Edhe ky e ka bërë betimin para kreut të atëhershëm të shtetit më 27 prill 1998 dhe se në bazë të ligjeve data 27 prill 2010 konsiderohet edhe si datë e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›