E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet Prefekti i Beratit Lefta, emërohet Hoxhaj



Këshilli i Ministrave miratoi dje shkarkimin nga detyra të Prefektit të Qarkut të Beratit, Kostandin Lefta. Ende nuk dihet motivimi i lirimit nga detyra të Prefektit, i cili ishte propozuar nga radhët e Partisë Demokratike në fillim të emërimit të tij. Në vend të Leftës është emëruar Bujar Hoxhaj. Prefekti i ri vjen nga radhët e biznesit dhe njihet si aktivist i Partisë Demokratike në qytetin e Beratit. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2009, Hoxhaj ka qenë kandidat i Partisë Demokratike për deputet. Ai ishte i pesti në listën shumëemërore, çka nuk mundësoi dot hyrjen e tij në Kuvend. Nga qarku i Beratit fituan nga PD-ja Genc Pollo, Mehmet Xheka dhe Lefter Maliqi. Prefekti i ri ka mbaruar për Menaxhim Turizëm në Universitetin e Vlorës. Vendimi i Qeverisë për zëvendësimin e Prefektit hyri menjëherë në fuqi. Ndërkaq dje në mbledhje Qeverie u vendos që të zgjerohet Parku Kombëtar i Butrintit. Njëkohësisht u vendos që zona e Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit të kthehet në Park Kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›