Qeveria jep 100 milionë lekë për fetë
Këshilli i Ministrave miratoi dje dhënien e një fondi prej 100 milionë lekësh të reja, i cili do t'u ndahet komuniteteve fetare. Ky vendim erdhi pas miratimit të ligjit për financimin e komuniteteve fetare nga shteti. Kështu sipas vendimit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton 28 milionë lekë të ndarë në 360 000 lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjësit e administratës, 9 640 000 lekë, për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit, në Durrës, Has, Kolonjë, Tropojë-Degë etj. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 24 000 000 lekë, të ndarë në 680 000 lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjësit e administratës, 1 320 000 lekë për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 24 000 000 lekë, të ndarë në 3 348 000 lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës, 20 652 000 lekë për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 24 000 000 lekë të ndarë në 4 320 000 lekë për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjësit e administratës, 12 680 000 lekë, për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit "Odeoni, 7 000 000 lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit.