Vlorë, qarkullimi bllokon mbi 100 patenta automjetesh
Edhe qyteti i Vlorës nuk i ka shpëtuar aksionit të policisë rrugore, e cila duket se ka marrë situatën në dorë. Sipas të dhënave zyrtare, Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe sektori i qarkullimit rrugor kanë marrë një sërë masash disiplinuese për qarkullimin nëpër rrugët e qytetit. Gjithmonë problematik ka qenë ky sektor i policisë në Vlorë, pasi shumë drejtues qarkullimi janë lëvizur këto kohët e fundit. Vetëm brenda harkut kohor të 6 muajve janë lëvizur nga ky post tre drejtues. Masat që ka marrë policia rrugore për parandalimin e aksidenteve duken që nga gjobat që ka vendosur, si dhe penalizimet e tjera ndaj kundërvajtësve. Sipas shifrave të bëra publike, nga policia rrugore janë bllokuar rreth 100 leje drejtimi të automjeteve, ku drejtuesit janë penalizuar për shkelje të rregullave të qarkullimit. "Këto masa që ka marrë Drejtoria e Policisë së Vlorës do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, pasi ato nuk janë vetëm për sezonet turistike, por për të gjitha sezonet e vitit", thotë komandanti i trafikut për qytetin e Vlorës, Edmir Noka. Më tej ai shpjegon se brenda një jave janë vënë rreth 500 gjoba ndaj shkelësve të qarkullimit në një shumë prej 300 mijë lekësh. Nga të dhënat mësohet se në këtë javë janë bllokuar pesë automjete për dokumentacion të parregullt dhe janë marrë 500 masa administrative për kundërvajtësit. Noka shpjegoi se në çdo moment, policia rrugore është e pranishme në çdo vendngjarje, ku me profesionalizëm ka shqyrtuar ngjarjet, ku përfshihen aksidente rrugore, që nga ato me pasoja të rënda shëndetësore, si dhe përplasje të lehta.