E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj Lul Berishës në Itali

Antimafia italiane ka zbuluar një plan për të vrarë Lul Berishën, në momentin që ky i fundit ishte emigrant në vendin fqinj, madje duke parandaluar edhe atentatin. Në përgjimet e ardhura ditët e fundit në Shqipëri, mësohet se "ushtarët" e Endrit Dokles kishin planifikuar deri në detaje vrasjen e Berishës, kundërshtarit në trafikun e drogës. Por, mbajtja nën vëzhgim dhe përgjim nga Antimafia solli edhe dështimin e operacionit, duke arrestuar njërin prej autorëve të dyshuar. Në dosjen italiane përmendet edhe emri i Adriatik Colit, një prej anëtarëve të bandës së Endrit Dokles, i cili u shpëtoi prangave duke ardhur në Shqipëri. Pas kësaj, Coli u dorëzua në polici, duke fituar statusin e të penduarit. Burimet nga akuza qendrore saktësojnë se materialet e ardhura nga Italia po përkthehen dhe në javët në vazhdim do t‘i serviren Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në materialet italiane, në formën e përgjimit, zbulohet se disa persona komunikonin me njëri-tjetrin, duke përmendur edhe ekzekutimin e një personi. Agjentët filluan vëzhgimin e tyre në terren, duke parandaluar një vrasje mafioze. Ndërkohë, hetimet shqiptare kanë zbuluar se i penduari i organizatave kriminale të Durrësit, Adriatik Coli, ka treguar detajet e tentativave për vrasjen e Lulzim Berishës. I pyetur nga hetuesit e çështjes, për trafikun e lëndëve narkotike, Coli është shprehur se një pjesë e mirë e tyre janë shpenzuar për ekzekutimin e Berishës, i "akuzuar" nga banda e Endrit Dokles si përgjegjës për vrasjen e Klodian Saliut. Pikërisht në të dyzetat e Saliut, ishte thurur plani për ekzekutimet, të cilat dështuan. Hetuesit e çështjes thanë se dëshmia e të penduarit mund të ndihmojë hetuesit e çështjes për zbardhjen e të tjerave ngjarje kriminale në qytetin bregdetar.

Atentatet në Durrës

Sipas akuzës, Adriatik Coli, krahas disa vrasjeve ku ka marrë pjesë edhe vetë, ka treguar si funksiononte banda e Endrit Dokles dhe planet për të vrarë Berishën. Sipas tij, Endrit Dokle rekrutoi si anëtarë të organizatës Altin Ollonin, Alban Nelin, Elvin Hoxhosmanin, Selman Hetin dhe Spartak Kalthin për vrasjen e Lulit. Dokle përgatiti planin, duke përdorur vrasës me pagesë. Ata do të paguheshin me 100 mijë euro për vrasjen dhe 25 mijë për plagosjen e Berishës. Më datë 5 prill 2005, Alban Neli, Elvis Hoxhosmani dhe Altin Nikolla, kanë lëvizur në Durrës, duke ndjekur Lulzim Berishën. Sipas prokurorisë, kjo vrasje nuk u bë e mundur, pasi një polic qarkullimi ka bërë bllokimin e autoveturës. Pas dështimit, Endrit Dokle përdor si "killer" në drejtim të Lulzim Berishës, Selman Hetin dhe Elvin Hoxhosmanin nga Burreli, duke iu premtuar 150 mijë euro. Selman Heti në datën 5 maj 2005, rreth orës 12:00, i afrohet Lulzim Berishës dhe e qëllon me pistoletë. Si pasojë, ngelën të plagosur Lulzim Berisha, Isuf Morina dhe Ram Haxhiaj. Për të eliminuar me çdo kusht Berishën, Endrit Dokle, me ndihmë të Kujtim Bunës, është lidhur me dy kosovarë, të cilët kanë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin armë zjarri kundratank. Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi, në këmbim të shumës prej 80 mijë euro, kanë marrë përsipër vrasjen e Lulzim Berishës. Ajeti dhe Karpuzi, në datë 30 gusht 2005, rreth orës 14:30, i janë afruar lokalit të Berishës dhe janë ndarë në dy drejtime. Njëri prej tyre është vetëplagosur pa dashje, çka solli edhe dështimin e operacionit. Gjatë muajit gusht të vitit 2005, Spartak Kalthi, së bashku me Selman Hetin, kanë shkuar në Durrës për të vrarë Lulzim Berishën. Në momentin që ai (Berisha) po i afrohej vendit në të cilin ishte parkuar automjeti, Serdjan Sulejmani ka telefonuar në celular Selman Hetin, i cili ka dalë nga fugoni me armë. Por për shkak të lëvizjes me shpejtësi të Lul Berishës, vrasja e tij ka ngelur në tentativë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›