E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI kundër paktit Rama-Berisha për reformën zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim del hapur kundër paktit të mundshëm Rama-Berisha për reformën zgjedhore. Nënkryetari i kësaj partie, Dritan Prifti, shprehu dje shqetësim për vonesat e vazhdueshme për Reformën Zgjedhore në vend, duke insistuar se kemi të bëjmë me një detyrim të madh për marrjen e ftesës së Shqipërisë në NATO në muajin prill. "Shprehja e vullnetit politik deklarativ akoma nuk ka gjetur reflektim dhe konkretizim në veprimtarinë parlamentare dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili e ka paralizuar aktivitetin e tij prej kohësh", sqaroi Prifti. Sipas tij, në vend të shohim hapa konkrete drejt një sistemi zgjedhor, që të eliminojë deformimet e mëparshme të vullnetit të popullit dhe të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, vërejmë paaftësi për zgjidhje konsensuale gjithë përfshirëse. Prifti konstatoi se askush nuk po punon për ndërtimin e infrastrukturës apo standardeve të domosdoshme për zgjedhje të pakontestueshme, të lira dhe të ndershme. "Në vend që të riaktivizohet menjëherë Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore e të funksionojë me transparencë, shohim rendje drejt pazareve të vjetra dhe të dështuara politikisht, të cilat gjithmonë kanë sjellë produkte të kontestuara dhe shtrembërime jodemokratike të vullnetit të votuesve", nënvizoi Prifti. Sakaq, ai vlerësoi se çdo takim mes forcave të caktuara politike është pozitiv, por eksperienca e 17 viteve të fundit ka treguar se marrëveshjet PD-PS, sidomos ato për reformën zgjedhore, nuk kanë sjellë standarde të reja demokratike në Shqipëri. "Përkundrazi, kanë prodhuar krizë dhe kanë dëmtuar interesat e publikut të thjeshtë, siç janë konstatuar në vazhdimësi nga ndërkombëtarët", argumentoi Prifti. Ai e cilësoi pazar politik çështjen ku është përqendruar PS dhe PD për sistemin spanjoll. LSI shprehet kundër këtij sistemi spanjoll, për t‘u aplikuar në Shqipëri, sepse Spanja dhe Shqipëria janë shumë ndryshe me njëra-tjetrën. "Pra Spanja është konfederatë, ka një grupim dhe ka probleme të mëdha mes federatave dhe grupeve etnike, gjë e cila është krejtësisht ndryshe nga organizimi administrativ i Shqipërisë", sqaroi Prifti. Në këndvështrimin e drejtuesit të lartë të LSI-së, sistemi spanjoll është një sistem proporcional-rajonal me lista të mbyllura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›