"Kompensim në rroga e pensione"
Qeveria do të kompensojë në çdo qindarkë rritjen e çmimit të bukës, në përputhje me indeksin e çmimeve, por natyrisht nuk do të përkulet para spekulimit. Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha duke u munduar të qetësojë të gjithë opinionin publik, i cili është shprehur mjaft i pakënaqur në lidhje me rritjet e shpeshta të çmimit të bukës. Duke mohuar zërat të cilët kanë dalë nga opozita se qeveria po rri indiferente ndaj këtij fenomeni, Kryeministri ka deklaruar se qeveria po e ndjek me vëmendje totale situatën, dhe në këtë drejtim siguroi qytetarët se do të kompensojë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimit të bukës". Më tej, kreu i qeverisë ka sqaruar se "Qeveria nuk përcakton çmimet në një vend të lirë, por qeveria merr përsipër të indeksojë plotësisht dhe tërësisht lëvizjen e tyre. Unë po flas për indeksim, por deri tani ka qenë disa herë indeksim, pasi e vërteta është se lëvizjet që kemi bërë me ndihmën ekonomike, pensionet e invaliditetit, pensionet e pleqërisë dhe me rrogat, të gjitha së bashku janë shumë herë më tepër se indeksim". Sipas tij, detyrimi ligjor dhe morali i qeverisë qëndron në kompensimin e plotë dhe total të lëvizjes së çmimeve. Dhe kjo do të bëhet duke respektuar plotësisht tregun. Gjithashtu, Kryeministri ka deklaruar se qeveria do t‘i japë përgjigjen më të merituar ligjore spekulimit, sepse çdo vend i lirë i jep spekulimit përgjigje ligjore. Ne, tha Berisha, nuk tërhiqemi, ne na vijnë fatura dhe do ta përballojmë faturën me indeksim të plotë, por nga ana tjetër neve nuk mund të na imponohet që të shkelim mbi interesat e 400 mijë fermerëve shqiptarë vetëm për të mbushur xhepat një grushti njerëzish. "Ne pranojmë fitimin, pranojmë çmimin e tregut, rregullat e tregut dhe do të kompensojmë në çdo qindarkë në përputhje me indeksin e çmimeve, por natyrisht nuk përkulemi para spekulimit", ka deklaruar Kryeministri Berisha. Para pak ditësh shqiptarët u vunë para një fakti të kryer, çmimi i bukës u rrit duke arritur në njëmijë lekë të vjetra. Rritje e cila nuk ka kaloi pa irritimin e popullit, i cili kundërshtonte këtë rritje dhe kritikonte qeverinë për qëndrimin e saj indiferent. Pasi, Kryeministri Berisha në një nga konferencat e tij për shtyp tha se qeveria është e pafuqishme të ndërhyjë në këtë rast, sepse nuk i vendos ajo çmimet në një treg të lirë. Deklaratë e cila u komentua menjëherë nga opozita e cila nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë dhe kryetarit të saj. Por pavarësisht këtyre deklaratave dhe kundër deklaratave, prej gati dhjetë ditësh shqiptarët po përballen me rritjen e çmimit të bukës dhe të produkteve të tjera ushqimore që janë bazë për jetesën. Nga dita e sotme kreu i qeverisë ka premtuar ulje të çmimit të bukës, por se sa do të ndodhë kjo, pritet për t‘u parë në ditët në vazhdim.