E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi instalon sistemin e ri elektronik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka prezantuar dje para mediave sistemin e ri elektronik të votimit, që do të përdoret në seancat plenare. Topalli tha se tashmë kemi arritur të realizojmë vendosjen e sistemit të ri elektronik, një objektiv që e ka pasur prej kohësh. Ajo theksoi se kjo procedurë ka kaluar në disa faza, në të cilat janë marrë parasysh kërkesat e grupeve të ndryshme parlamentare, si dhe diskutimi në byro. Një shqyrtim shumë të gjerë dhe të vështirë ka pasur në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit, ku janë bërë të gjitha specifikimet teknike, dhe pastaj në procedurën e tenderimit, një proces transparent, i cili ka kaluar përmes publikimit në gazetën prestigjioze, "Financial Time". Ata që kanë bërë të mundur vendosjen e këtij sistemi, ka sqaruar kryetarja e Kuvendit para mediave, kanë bërë të ditur se ky është një ndër sistemet më të avancuar elektronikë, që ekzistojnë sot në parlamentet evropiane, duke pasur si software modelin që funksionon aktualisht në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe në Luksemburg. Ky sistem kërkohet që të vendoset dhe në Senatin italian, pasi ofron garanci në rezultatin e votimit. Më pas Topalli ka vijuar shpjegimin, duke thënë se "në panelet e votimit të çdo deputeti është instaluar një ekran me ngjyra LCD, i cili u tregon deputetëve se çfarë votimi bëhet, cili është rezultati, sa kohë u ka mbetur për të folur, si dhe mesazhet e tjera që janë të shkruara në shqip. Gjithashtu, për të rritur transparencën për median, do të ketë mbi 40 dalje për audio. Nga vendosja edhe e telekamerave që janë në të gjithë sallën, do të bëhet e mundur që menjëherë të regjistrohet në DVD, edhe puna e transkriptimit do të jetë më e saktë dhe më e shpejtë. Gazetarët do të kenë mundësi të keni një pamje vizive më të mirë e të qartë. Sistemi ka disa opsione, mes të cilëve është dhe ai i votimit me "shenjat e gishtërinjve", që do të thotë se kur ka dyshim për prezencën apo mënyrën e votimit, mund të përshtatet edhe kjo mënyrë votimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›