Vranë vajzën, dënohen me 40 vjet bashkëshortët në Shkodër
SHKODËR-Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot vendimin për Brahim e Nurije Facajn nga fshati Drisht i komunës Postrribë në Shkodër, të akuzuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe fshehje të krimit.
Kryetari i trupit gjykues Aleks Nikolli ka deklaruar fajtor çiftin Facaj për vrasjen e Afërdita Facajt, 25-vjeçe, në vitin 1996. Kufoma e vajzës u gjend më 9 mars 2007, e varrosur vetëm 20 cm nën tokë para shtëpisë ku dikur banonte familja Facaj, në Drisht.
Për babanë e viktimës, Brahim Facaj, gjykata ka vendosur 25 vjet burg, ndërsa për bashkëshorten e tij, njëkohësisht njerka e viktimës ka vendosur 15 vjet burgim.
Brahim Facaj, pas dhënies së dënimit ka pohuar se nuk e ka vrarë ai vajzën e tij, që e kishte nga martesa e parë, pasi po ta kishte bërë këtë do të kishte vrarë dhe veten dhe nuk do ndodhej sot në gjyq. “Po më dënoni kot se unë do kisha vrarë dhe veten e sot nuk do isha këtu, nëse do kisha vrarë time bijë”- ka deklaruar Brahim Facaj, duke qenë kontradiktor me thëniet e tij në polici.
Ndërkohë që gjatë hetimit ai kishte deklaruar se e kishte vrarë të bijën, pasi ajo i kishte marrë fytyrën dhe e kishte koritur duke ikur nga shtëpia e të shoqit në Itali, ku sipas Brahimit ajo është trafikuar dhe ka punuar si prostitutë.
Ndërsa Nurije Facaj, njerka e viktimës ka kërkuar vetëm mëshirë pa tentuar të heqë përgjegjësinë nga kjo vrasje. Të pranishëm në seancën e sotme gjyqësore kanë qenë dhe familjarë të Brahim e Nurije Facajt, të cilët e kanë pritur në heshtje dhënien e vendimit.