Xhuveli, Inspektoratit: Kontrolloni naftën
Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka deklaruar dje se duhet të dalin nga qarkullimi makinat e vjetra, që konsiderohen si një ndër faktorët ndotës të ajrit. Por, nga ana tjetër, ai ka kërkuar edhe nga ana e Inspektoratit të Hidrokarbureve kontrolle më të forta lidhur me cilësinë e naftës që importohet në vend. Jo në pak raste janë denoncuar edhe publikisht fakte që lidhen me tregues të lartë të ndotësve në naftën që hyn në Shqipëri nga vende të tjera. Sasitë e larta të squfurit dhe plumbit i bëjnë karburantet ndër burimet me rrezikshmërinë më të lartë të ndotjes së ajrit. Pas studimit më të fundit të kryer nga ana e ISHP-së në kryeqytet, rezulton se ndotja e ajrit është rreth 8 herë më e lartë se sa normalja e pranuar nga vendet evropiane. Ndotja është edhe më e lartë në pika të caktuara, ku trafiku është i dendur dhe i vazhdueshëm. E pavarësisht deklaratave të ministrit të Mjedisit, ky institucion përgjegjës për hartimin e politikave që minimizojnë ndotjen, sërish mbetet në status quo.