E Diel, 1 Nëntor 2026

Të diplomuarit jashtë, një muaj afat për aplikim

Maturantët që kryen të mesmen jashtë shtetit dhe do të ndjekin fakultetin në Shqipëri duhet të regjistrohen pranë Ministrisë së Arsimit deri më datë 15 prill. Ky është afati i fundit kur kandidatët mund të regjistrohen. MASH-i njoftoi dje se "është ngritur një komision i posaçëm për ekuivalentimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë, që kanë kryer shkollat e mesme jashtë shtetit dhe duan të japin provimet e Maturës Shtetërore 2008. Ky komision kryesohet nga drejtori i kurrikulave në MASH, Suzana Tabaku. Tri janë dokumentet që duhet të dorëzojnë të rinjtë kandidatë: Kërkesë me shkrim për të vazhduar shkollën e lartë publike, diplomë përfundimtare origjinale të shoqëruar me vërtetimin origjinal për notat e mbarimit të shkollës së mesme, si edhe kopje e këtyre dokumenteve, të përkthyera dhe të noterizuara, fotokopje të noterizuar të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi. Ministria Arsimit sqaron se në konkurs marrin pjesë vetëm ata që kanë përfunduar të mesmen para 2008-ës, pasi ata që janë ende maturant s‘mund të konkurrojnë. Komisioni i posaçëm, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës shkollore, përcakton mbi bazën e dokumentacionit, nëse provimet e dhëna janë ekuivalente me Maturën Shtetërore. Për rastet kur provimet janë të njëjta, komisioni bën përllogaritjen e notës mesatare të viteve të shkollimit. Më tej njofton shtetasit për plotësimin e Formularit A2. Për rastet kur provimet e dhëna nuk janë ekuivalente me Maturën Shtetërore, komisioni cakton shkollën ku shtetasi do të kryejë provimet me zgjedhje dhe do të plotësojë Formularët A1 dhe A2. Pra, këta kandidatë janë të detyruar të japin në Shqipëri katër provimet e maturës. Formularët A2 duhet të plotësohen nga kandidatët brenda datës 30 qershor 2008 dhe të dorëzohen në Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›