Albtelekom, punonjësit do të shpërblehen me tri paga
Më në fund është vendosur masa e shpërblimit për punonjësit e Albtelekomit, si rezultat i privatizimit të 76 për qind të aksioneve në mesin e vitit që shkoi. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, duke iu referuar propozimit të ministrit të Ekonomisë. Sipas tij, do të marrin shpërblim me tre paga punonjësit e shoqërisë dhe katër paga drejtorët. Po katër paga shpërblim do të përfitojnë drejtori i përgjithshëm (ai që ishte, Ilirian Kuko), anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe të grupit të negociimit të kontratës për blerjen e aksioneve. E gjithë masa e shpërblimit vlerësohet në rreth 3 milionë dollarë, të cilat janë siguruar nga shitja e Albtelekomit, duke u nisur nga fakti që, si dividenti ashtu edhe të ardhurat nga privatizimi, janë derdhur në buxhetin e shtetit. Shpërblimin e përfitojnë të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, që kanë qenë në marrëdhënie pune në datën e nënshkrimit të kontratës së blerjes së aksioneve. Kjo do të thotë se përjashtohen nga vendimi punonjësit e larguar para muajit qershor 2007 dhe ata që janë punësuar pas kësaj periudhe. Lidhur me komentet përkatëse, Ministria e Drejtësisë është shprehur se, mendimi i saj nuk është i nevojshëm, për sa kohë projektvendimi nuk ka karakter normativ. Me dyshime për vendimin është shprehur Ministria e Financave, sipas së cilës, "me përcaktimet që jepen në nenet 3 dhe 4 të ligjit të privatizimit, të ardhurat nga privatizimi përdoren vetëm për trajtimin e punonjësve". Por, Ministria e Ekonomisë, një pjesë nga të ardhurat e shitjes së Albtelekomit i ka përdorur për mbulimin e shpenzimeve për realizimin e shitjes së aksione, si pjesë e së cilës është edhe negociimi i kontratës.