E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresat, 3 "legjionarë" në takimin me Maqedoninë

Trajneri i përfaqësueses Shpresa, Artan Bushati, ka publikuar dje listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren e 6 shkurtit ndaj Maqedonisë. Bushati ka vendosur t‘u bëjë vend tre "legjionarëve" të rinj në këtë ndeshje, futbollistë të cilët do t‘i shërbejnë përfaqësueses si në ndeshjet eliminatore të Euro 2009, ashtu edhe në edicionin e ardhshëm të eliminatoreve të ndeshjeve të përfaqësueses U21. I pari është mbrojtësi Albi Llenga që aktivizohet në kampionatin grek me FC Ethnikos. Lojtari ka qenë pjesë e grumbullimit të zhvilluar në fillimin e janarit dhe duket se ka bindur stafin kuqezi, i cili e sheh atë si një lojtar të perspektivës. Emri i dytë në listë është i mesfushorit Valdet Rama, i cili aktivizohet me skuadrën e dytë të Volfsburgut në Gjermani. Futbollisti do të testohet gjatë ndeshjes me Maqedoninë dhe mund të rezultojë i vlefshëm për tri ndeshjet e fundit të eliminatoreve të EURO 2009. "Legjionari" i tretë në listën e Bushatit është sulmuesi i Peskarës, Edgar Çani, një prej futbollistëve shqiptarë më të lakuar gjatë muajve të fundit. Sulmuesi ka shfaqur një formë të admirueshme gjatë këtij sezoni në Serinë C, duke tërhequr edhe vëmendjen e disa prej klubeve më të njohura në Itali si Interi, Xhenoa, Udineze dhe Siena. Sipas trajnerit Bushati, miqësorja me Maqedoninë do të jetë një mundësi e mirë që futbollistët e rinj të provojnë vlerat e tyre dhe të tregojnë se meritojnë një vend në ndeshjet zyrtare të përfaqësueses. Ai ka treguar se miqësorja nuk do të shërbejë vetëm për këto eliminatore, por edhe për të provuar që tani një pjesë të lojtarëve që mund të aktivizohen edhe në edicionin e ardhshëm. "Normalisht, qëllimi i parë i kësaj miqësoreje është të përgatitim ndeshjen e muajit mars kundër Greqisë. Do të shoh formën e disa prej lojtarëve si dhe do të testoj emrat e rinj. Gjithsesi, një objektiv i veçantë i ndeshjes së 6 shkurtit është edhe fillimi i punës për kombëtaren e edicionit të ardhshëm. Një pjesë e lojtarëve të grumbulluar do të kenë mundësi të luajnë edhe në EURO 2011 dhe ne kemi filluar që tani punën për të ideuar ekipin e ri, duke menduar për të ardhmen e kësaj përfaqësueseje", deklaroi Bushati.

Lista e U21

Shpëtim Moçka Flamurtari

Olsi Bishani Vllaznia

Andi Lila Besa

Bledion Guga Flamurtari

Erbim Fagu Tirana

Franc Veliu Flamurtari

Albi Llenga FC Ethnikos

Sadush Danaj Besëlidhja

Genti Verli Dinamo

Gilman Lika Vllaznia

Elis Bakaj Partizani

Gerhard Progni Besa

Hair Zeqiri Flamurtari

Erando Karabeci Partizani

Jozef Thana Skënderbeu

Emiljano Vila Teuta

Jahmir Hyka Tirana

Valdet Rama Volfsburg II

Enco Malindi Partizani

Edgar Çani Peskara

Arbër Abilaliaj Partizani

Xhevahir Sukaj Vllaznia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›