E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zelensky: Ukraina ka nevojë për më shumë para për luftën kundër Rusisë

KIEV, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se vendit të tij i nevojiten mbi 65 miliardë dollarë në vit për të vazhduar luftën kundër forcave ruse.

“Ukraina duhet të përballojë një deficit prej 40 miliardë dollarësh. Vetëm prodhimi i dronëve kërkon 25 miliardë në vit. Pra, kemi nevojë për 65 miliardë vetëm për të mbuluar këto shpenzime”, tha sot Zelensky për gazetarët, sipas agjencisë Interfax-Ukraina.

 Sipas tij, përveç dronëve, nevojiten fonde  për raketa dhe pajisje për luftë elektronike.

Zelensky theksoi se e ka diskutuar këtë çështje me përkrahësit kryesorë perëndimorë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen,, sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe me zyrtarë amerikanë.

Ai kërkoi gjithashtu që pagat e ushtarëve ukrainas të mbulohen nga jashtë, duke argumentuar se ata janë “thelbësorë për mbrojtjen jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë Evropës”.

Ushtarët në vijën e parë të frontit marrin një pagë bruto mujore prej rreth 2,400 eurosh.

Më shumë se gjysma e buxhetit kombëtar të Ukrainës financohet nga ndihmat e huaja, rreth 41 miliardë dollarë në vit.

Sipas Ministrisë së Financave në Kiev, deri tani këtë vit janë dhënë afro 30 miliardë euro ndihmë nga jashtë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›