Puna të zgjat jetën
Pushimi të lodh, të plak para kohe dhe të shkurton jetën, ndërsa të punuarit gjatë e të qenit aktiv, ndihmon për të pasur një jetë sa më të gjatë e të shëndetshme. Ky është përfundimi i disa shkencëtarëve parisianë të Akademisë së Shkencave franceze. Por cili është qëllimi i këtij studimi? Të gjitha elementet shkencore dhe mjekësore janë në favor të largimit të daljes në pension.
Në një debat të gjatë, ekspertët kanë bërë publike disa shifra të cilat flasin vetë: në botë ka më shumë se 600 milionë persona të cilët kanë arritur të 60-at (trefishi në krahasim me një shekull më parë) dhe sipas parashikimeve, në vitin 2050, numri i tyre do të rritet, duke arritur numrin 2 miliardë (pra, tri herë më shumë se sot). Do të jetë një revolucion i jetëgjatësisë që sjell me vete perspektiva dhe zbulime të reja.
"Mungesa e një pune fikse apo e një aktiviteti të rregullt fizik sjell rreziqe të mëdha demence (skizofreni) apo sëmundjesh të tjera të rënda, të cilat e bëjnë vdekjen më të afërt", nënvizon një nga organizatorët e debatit të Akademisë së Shkencave, i cili është 81 vjeç. Zotëria në fjalë është president i "Institut de la longévité et du vieillissement" (Instituti i jetëgjatësisë dhe plakjes) dhe drejton një grup ndërkombëtar kërkuesish të impenjuar në këtë drejtim.
"Është mënyra më e mirë për të luftuar kundër plakjes dhe për të vënë në lëvizje muskujt dhe trurin, sepse të qenit pasiv shkatërron muskujt dhe "boshatis" trurin", pohon një nga onkologët e famshëm francezë Maurice Tubiana. 86 vjeçari, që është dhe një nga organizatorët e një seminari mbi punën dhe pleqërinë e vazhdon të ndjekë ende një aktivitet shkencor shton: "Nëse një qen gjuetie apo një kalë vrapimi nuk kryejnë një aktivitet të rregullt fizik, jeta e tyre shkurtohet. Trupi i njeriut është formuar në atë epokën kur i duhej të punonte shumë për të fituar bukën e gojës. Megjithatë njeriu duron, njësoj si në rastin e këtyre dy kafshëve, pa një aktivitet fizik e mendor të përditshëm dhe kjo mund të shndërrohet në një çekuilibër hormonal". Sipas ekspertit, minimumi i përditshëm është, nëse trupi e lejon, një gjysmë ore në ditë shëtitje për çdo moshë. "Për sa i përket trurit, duhet të mendojmë se, në ndryshim nga shumë makina, sa më pak të përdoret aq më shumë konsumohet e plaket", vazhdon më tej ai.
Por të punosh gjatë nuk është zgjedhje medoemos negative, siç tregon edhe rasti i atyre personave të cilët e ëndërrojnë për vite daljen në pension dhe sapo arrijnë në momentin e shumëpritur, e lënë veten të tërhiqen nga kjo e fundit: është një përtaci pa çlodhje që ndonjëherë nxit shfaqjen e sëmundjeve pak kohë pas daljes në pension.
"Kush arrin moshën 60-65 vjeçare mund të zgjedhë alternativa të ndryshme në krahasim me punën e tij: për shembull mund të zgjedhë një detyrë më të thjeshtë, duke ruajtur ende një interes të lidhur me përvojën e tij. Ose, duke dalë në pension, mund të fillojë një aktivitet tjetër. Duke pasur një ambicie, të vjetër apo të re, ndihmon në zgjatjen e ekzistencës dhe vë në lëvizje trurin".
Jean-François Dartigues, nga Universiteti i Bordosë, është një nga studiuesit kryesorë francezë të sëmundjes "Alzheimer". "E dimë që të qenët sedentar, të vetmuar e të izoluar janë faktorë të rrezikshëm për një sërë patologjish që lidhen me plakjen. Veçanërisht mund të bëhen faktorë nxitës të patologjive kardiovaskulare e neurovegjetative, të ngjashme me sëmundjen ‘Alzheimer‘", kujton ai. Që aktiviteti mendor në moshën e tretë largon rrezikun e dëmeve konjektive dhe demencën e pleqërisë e konfirmon një studim i sapo publikuar në një revistë shkencore. "Efekti mbrojtës, vjen edhe nga të lexuarit revista, të shkruarit letra, të frekuentuarit të bibliotekave dhe librarive", përfundojnë autorët. "Një aktivitet intensiv cerebral dhe fizik u lejon qelizave të funksionojnë më mirë dhe të jenë më të gjalla, duke krijuar kështu një terren të përshtatshëm për funksionimin e neuroneve. Ka një prodhim më të lartë hormonesh cerebrale, që quhen "neurosteroide" dhe jemi nën vëzhgimin e tyre. Mbajtja e tyre në gjendje aktive vepron mbi funksionimin e të gjithë organizmit", shpjegon doktori. Baulieu dëshiron t‘u transmetojë diçka atyre që dalin në pension: "Duhet të shihni përpara, dhe ta lini pas të shkuarën, sepse kërkimi i kohës së humbur mund të prishë kohën që ka mbetur për të jetuar".
Por a ekziston një lidhje e provuar mes dinamizmit të një personi dhe sistemit të tij imunitar? Fatkeqësisht shkenca nuk ka rritur ende në një përfundim të saktë. "Nuk mund ta përjashtosh, por as ta tregosh, ashtu siç ndodh me funksionimin e qelizave cerebrale", përgjigjet ai, i cili preferon të ndalet në një tjetër pikë të rëndësishme: "Çdo njeri është i ndryshëm nga tjetri, ka një histori të tijën, ka jetuar në një ambient të veçantë dhe ka gjene specifike. Në këtë rast duhet gjetur kombinimi i duhur mes gjendjes shëndetësore, ambientit shoqëror dhe elementit kryesor që është dëshira". Duke qenë dinamikë, edhe falë punës, ulet rreziku i zhvillimit të ndonjë kanceri. "Në organizmin e secilit prej nesh ka forma tumorale, të cilat mund të zhvillohen nga njëri moment në tjetrin. Shpeshherë e pyesim veten nëse disa ndryshme në ekuilibrin e sistemit nervor, si pasojë e kalimit nga një gjendje aktive në atë pasive, mund të bëhen faktorë kryesorë për zhvillimin e kancerit".
Një pohim që tregon se të punosh gjatë mund të ketë efekte të dobishme në përmirësimin e jetës, është konfirmuar edhe nga disa kërkues amerikanë, të cilët kanë kryer një studim të bazuar mbi disa përfundime mbresëlënëse: kush del në pension në moshën 55- vjeçare ka një mesatare vdekshmërie më të lartë në krahasim me atë që punon deri në 65 vjeç. Kërkimi i publikuar në revistën mjekësore britanike ka analizuar 3500 punëtorë të një industrie petrokimie, të cilët kishin dalë në pension në moshën 55, 60 dhe 65 vjeç. Autorët pohojnë se dalja herët në pension çon në një jetë më të mirë. "Por studimi ynë kërkon të paraqesë diçka tjetër. Dalja në pension në moshën 50 ose 60-vjeçare, nuk shoqërohet me një mbijetesë të lartë. Madje është vënë re se vdekshmëria është e lartë te personat që dalin në pension në moshën 55-vjeçare në krahasim me 65-vjeçarët dhe kjo nuk varet nga gjendja social-ekonomike. Pra kush punon, gëzon. Është e rëndësishme që e gjithë shoqëria ta mbështesë problemin e moshës së tretë. Një të moshuari nuk mjafton t‘i thuash se është e nevojshme të dalë nga shtëpia e të merret me një punë, por i duhet krijuar një ambient ku mund të jetojë e të gëzojë ditët e fundit që i kanë mbetur", përfundojnë ekspertët.