INSTAT: Inflacioni rikthehet në nivele të larta
Inflacioni i rikthehet niveleve të mëparshme, duke pësuar rritje me 0.6 për qind. Treguesi i referohet muajit shkurt 2008, ku sipas INSTAT-it, rritja e çmimeve mesatarisht me 1 për qind ka ndikuar tek inflacioni, tashmë i regjistruar në 3.6 për qind, nga 3 për qind të muajit janar. Krahasuar me një vit më parë për muajin shkurt, inflacioni ishte 2.9 për qind, por deri atëherë situata me çmimet kryesore të konsumit për shqiptarët ka pësuar ndryshime në kahun rritës. Pas niveleve të larta të regjistruara në muajt gusht-tetor 2007 (4.2 - 4.4%), u duk një ulje e lehtë e tij, në nivelet 3 për qind, e ndikuar nga zbutja e çmimeve të shportës bazë. INSTAT-i, me anë të indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2008, konstaton se, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 2.6 për qind, me një ndikim prej 1.0 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 7.6 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshi patatet". Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të domateve me 33.8 për qind, kastravecëve me 14.5 për qind dhe specave me 2.5 për qind. Rritje ka pësuar edhe indeksi i nëngrupit "fruta", me 1.9 për qind. Në të njëjtën nivel rritjeje me zarzavatet, janë dhe "vajrat dhe yndyrat", ndërsa grupi "bukë e drithëra", në rritjen e inflacionit ka ndikuar në masën 4.4 për qind. Ndryshe paraqitet situata e çmimeve për artikujt e veshjeve, të cilat në muajin shkurt pësuan një ulje të indeksit prej rreth 0.6 për qind. Ndërkaq, ndryshe nga sa duket situata me tregun e pakicës së karburanteve, në muajin shkurt, sipas INSTAT-it, çmimi i naftës ka shënuar ulje në masën 0.2 për qind, ndërsa çmimi i benzinës u rrit me 0.2 për qind. Kjo ka ndikuar te çmimet e transportit interurban, të cilat shënuan një rritje prej 2.1 për qind.
Parashikimi
Pavarësisht këtyre treguesve, Banka e Shqipërisë duket optimiste se niveli i inflacionit në vend do të qëndrojë në nivelin e rreth 3 për qind. Lidhur me të dhënat e fundit, BSH-ja evidenton faktin se një pjesë e kësaj rritjeje të çmimit që ka ndikuar në inflacion, u dedikohet tregjeve të huaja, të cilat po përjetojnë një situatë të vështirë me çmimet e karburantit dhe drithërave, aktualisht në nivele rekord. Sipas BSH-së, për të dalë sadopak nga kjo situatë, qeveria duhet të ndërhyjë në hartimin e politikave afatmesme për të modernizuar sektorin e bujqësisë, i cili vazhdon të mbetet një ndër kontribuuesit kryesorë në PBB.
Periudha Inflacioni
Korrik ‘07 2.1%
Gusht ‘07 4.2%
Shtator ‘07 4.4%
Tetor ‘07 4.2%
Nëntor ‘07 3.5%
Dhjetor ‘07 3.1%
Janar ‘08 3.0%
Shkurtim ‘08 3.6%