ëndrra e ndaluar e Mesit: Kaka te Barcelona
Lionel Mesi ka mësuar që të sillet si yll edhe jashtë fushës së lojës. Argjentinasi i talentuar i përgjigjet me dëshirë pyetjeve të gazetarëve që "i vërsulen" për ta takuar. Në periferi të Barcelonës, gjatë prezantimit të këpucëve "Adidas F50 Tunit", Leo kalon kohën, duke bërë shaka me Saviolën, Higuain dhe lojtarët e tjerë të Primera Division, të pranishëm në atë prezantim. Ai nuk është më djaloshi i turpshëm i përpara një viti, që skuqej sa herë i bëheshin pyetje, tashmë e qeshura nuk i hiqet nga fytyra. Mesi ka fituar më shumë siguri, duke u shndërruar në një kampion të madh (edhe nga karakteri), i gatshëm që të marrë për dore Barcelonën në të ardhmen.
Lionel a është e vërtetë se nuk bëhet fjalë që mund të ndryshoni skuadër së shpejti, apo jo?
E kam thënë gjithmonë, që nuk kam asnjë arsye përse duhet ta mendoj të ardhmen time larg Barcelonës. Këtu njerëzit më duan dhe ky klub ka bërë shumë për mua. Dëshiroj që të udhëheq Barçën drejt shumë triumfeve.
Duhet të shndërroheni në liderin e skuadrës, pasi Ronaldinjo ka humbur disi shkëlqimin? Së fundmi duket pak i trishtuar kur zbret në fushë...
Jo, besoj se është thjesht një moment i vështirë, i cili ka ardhur për shkak të formës së dobët fizike. Kur ai është në formë të mirë, nuk ka kundërshtar që e përballon: është një prej lojtarëve më të fortë në botë. Dhe, ne kemi nevojë për të.
Megjithatë, nuk e keni fshehur asnjëherë se "çmendeni" për aftësitë teknike të Kaka. A e dini se "Topi i Artë 2007" mund të jetë kundërshtari juaj në Olimpiadën e Pekinit?
Po, megjithatë në këtë rast kundërshtari im i vërtetë do të jetë Brazili, e jo Kaka. Duhet të hakmerremi për finalen e humbur në Kupën e Amerikës, ende nuk e kam harruar atë ndeshje. Ndërsa për Kaka mund të them se është një kampion i madh dhe ishte diçka e bukur kur dëgjova se kishte shprehur dëshirën për të luajtur përkrah meje. Por, duhet të kini parasysh, se duhet të vijë ai te Barcelona...
Lojën tuaj nuk e ka vlerësuar vetëm Kaka, por edhe Morati, që prej shumë kohësh dëshiron që t‘ju marrë në Milano. Në vitin 2008, Interi do të festojë 100-vjetorin dhe presidenti dëshiron t‘u bëjë një dhuratë tifozëve...
Tifozëve të Interit dhe klubit mund t‘i uroj për këtë festë. Fakti që një person si Morati më vlerëson, një president kaq i rëndësishëm, më bën qejfin. E them këtë pasi bëhet fjalë për një skuadër prestigjioze. Megjithatë, më lartë theksova se dëshiroj të bëhem idhull te Barcelona.
Nuk e mendoni asnjëherë, se në një të ardhme jo të afërt, mund të luani në kampionatin italian, apo në një tjetër kampionat evropian?
Askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë do të ndodhë pas disa vitesh, megjithatë unë duhet të mendoj për të tashmen. Kjo e tashme është vetëm Barça.
Cili është kampionati që ndiqni në televizor?
Të azhurnohesh për rivalët evropiane është gjithmonë diçka pozitive. Në kohën e lirë preferoj që të shoh ndeshjen e Premiershipit anglez. Gjithashtu njoh edhe stilin e lojës së skuadrave më të rëndësishme italiane.
Olimpiada
Mesi do të jetë një nga liderët e kombëtares olimpike të Argjentinës në Pekin 2008. Një eveniment ku do të ketë shansin që të "hakmerret" ndaj Brazilit për humbjen në finalen e Kupës së Amerikës