E Diel, 1 Nëntor 2026

Lioni kërkon Kristiano Ronaldon në shkëmbim të Hatem Ben Arfa

Presidenti i Olimpikut të Lionit, Zhan Mishel Aulas, ka bërë të ditur se trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, është i interesuar për dyshen e sulmit të kampionëve të Francës, Benzema-Ben Arfa. Këta dy futbollistë kanë qenë gjatë muajve të fundit në qendër të merkatos, sidomos falë interesimit të klubeve angleze, pasi përveç Mançetser Junajtid, në garë për ta kanë hyrë edhe Çelsi me Arsenalin. Por Aulas bëri të ditur që në shtator se Benzema dhe Ben Arfa nuk do të nxirreshin në shitje derisa Olimpiku i Lionit të fitonte Ligën e Kampioneve.

Kampionët e Francës do të përballen me Mançester Junajtid mesjavën e ardhshme, për të siguruar një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Aulas ka treguar se Aleks Ferguson vazhdon të shprehë interes për futbollistët e tij më të mirë, por atij as që i shkon ndërmend që të heqë dorë lehtë nga ata, ndonëse Mançester Junajtid ka ofruar 40 milionë sterlina për futbollistët. "Unë i kam thënë Sër Aleks se Benzema dhe Ben Arfa nuk do të largohen nga skuadra në dy vitet e ardhshme. Ne duam që të ndërtojmë të ardhmen tonë pikërisht rreth tyre", deklaroi Aulas për të përditshmen britanike "The Sun". Më tej, ai ka ironizuar me Mançester Junajtid, duke u shprehur se futbollistët e tij ishin më të mirë se Kristiano Ronaldo, lojtari më në formë i "Djajve të kuq" në këtë sezon. "Nëse ai dëshiron që të ndërrojë Kristiano Ronaldon me Ben Arfa, ne mund të bisedojmë rreth kësaj, por ata njëkohësisht duhet të na japin ne edhe para", ishte batuta e radhës e Aulas, i cili gjatë viteve të fundit ka arritur shumë suksese menaxheriale, duke u shitur me shifra të larta disa lojtarë klubeve më në zë të Evropës.

Megjithatë, kjo deklaratë e presidentit të Olimpikut të Lionit duket se do të shtojë më shumë spekulimet e merkatos dhe do të ndezë ankandin për dy futbollistët që janë kthyer në pika referimi edhe për kombëtaren franceze të futbollit. Benzema ka treguar talentin e tij duke shënuar 16 gola në 24 ndeshje në kampionat, ndërsa Ben Arfa është një prej "sulmuesve të fshehtë" më premtues në qarkullim. Për të kuptuar talentin e tyre mjafton të kujtosh që dy lojtarët kanë lënë në stolin e rezervave emra si Fred dhe Barrosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›