E Diel, 1 Nëntor 2026

11 vjet burg për vrasjen e burrit

Mëshira e kërkuar në fjalën e saj të fundit përpara dhënies së vendimit nuk e ka shpëtuar 45-vjeçaren nga Bakdushku i Tiranës që t‘i shpëtonte dënimit. Aishe Pojana, gruaja e cila vrau dhe më pas groposi bashkëshortin e saj, Hasan Pojana, është dënuar dje me 11 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona e shpalli gruan fajtore për veprën penale të "Vrasjes me dashje", duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshim të akuzës.

Seanca e fundit e procesit është përshkuar nga nota të forta tensioni, ndërsa nuk kanë munguar debatet verbale midis të pandehurës dhe familjarëve të viktimës, debate të cilat kanë detyruar trupin gjykues të ndërhyjë, duke nxjerre jashtë nga salla disa familjarë. Gjithçka ka nisur kur e pandehura, duke kërkuar mëshirë nga gjykata, ka ritheksuar se i shoqi e keqtrajtonte vazhdimisht. Ajo iu drejtua edhe motrave të Hasanit me shprehjet: "Ju e dini se ai me keqtrajtonte, pse nuk i tregoni gjykatës. Sa herë kam ardhur te ju dhe ju kam kërkuar ndihmë". Por këto thirrje të saj janë kundërshtuar hapur dhe madje me zë nga motrat, të cilat e quajtën atë gënjeshtare. Situata u acarua për shkak të shkëmbimit të replikave dhe kryesuesi i seancës u detyrua të nxjerrë nga salla dy prej familjarëve të pranishëm. Pas kësaj, gjithçka ka proceduar qetësisht, deri në fund të procesit, kur gjykatësi lexoi vendimin përfundimtar, i cili e shpallte fajtore 45-vjeçaren dhe e dënonte me 11 vjet burg. Një seancë më parë prokuroria në konkluzionet e saj kishte kërkuar dënimin me 12 vjet burg.

Aishe Pojana u arrestua më 16 prill të vitit 2006, pasi dyshohej se rreth një muaj më parë kishte vrarë me mjete të forta bashkëshortin e saj, Hasan Pojani, të cilin e kishte groposur më pas në oborrin e shtëpisë. Ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e datës 11 mars të vitit 2006, kur 45-vjeçarja e kishte goditur bashkëshortin me një dru pas koke e më pas e kishte varrosur rreth 500 metra larg shtëpisë, me ndihmën e njërës prej vajzave të saj. Fillimisht ajo u tha fëmijëve, por edhe familjarëve të bashkëshortit, se Hasani ishte nisur për në Greqi, por më pas ka ndryshuar thëniet e saj. Në këtë mënyrë, hetuesit e kanë konsideruar atë si të dyshuarën kryesore dhe gjetja e kufomës së groposur të të shoqit në oborrin e shtëpisë e detyroi Aishen të rrëfente krimin. Në fillim të procesit gjykata i mohoi të pandehurës gjykimin e shkurtuar, pasi prokuroria ende dyshonte se ajo kishte pasur bashkëpunëtorë. Por gjatë procesit gjyqësor, ku u paraqitën për të dëshmuar edhe fëmijët e të pandehurës, nuk u provua bashkautorësia me ndonjë person tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›