Në Adriatik lundrojnë anije që janë fundosur njëherë
Anijet shqiptare kthehen shqetësim për autoritetet kroate. Shpesh herë ato janë paraqitur me defekte, ndërkohë që ende vazhdojnë të lundrojnë nëpër detin Adriatik. Ky problem është botuar në gazetën "Vjesnik" të Zagrebit, e cila u referohet burimeve të këtij vendi.
Ndër të tjera, gazeta e lartpërmendur ka shkruar që për shkak se ngecjet në cekëtinë, djegiet dhe përplasjet e anijeve në brigjet kroate nuk përbëjnë më lajm, as përplasja e të shtunës mes anijes shqiptare të mallrave "Reenvi 2" dhe peshkarexhës kroate "Morski Vuk" në gjirin e Shebenikut nuk mori vëmendje të madhe. Burimet e policisë portuale të Kroacisë bënë të ditur për mediat vendase se nga përplasja nuk pati të plagosur. Sipas vlerësimeve të bëra nga ekspertët e rojës bregdetare, përplasja erdhi për shkak të pakujdesive të kapitenëve të anijeve. "Anija shqiptare është ndërtuar në vitin 1966. Vitet e fundit lundron kryesisht në Adriatik dhe Mesdhe dhe shpesh rri nëpër porte të ndryshme për shkak të avarive teknike. Herën e fundit u ndalua më 29 janar të këtij viti për 13 ditë në Marsejë, për shkak të 18 defekteve teknike. Para dy viteve, në Portin e Rijekës kontrolli konstatoi 7 defekte, por nuk iu ndalua lundrimi", detajohet në gazetën e Zagrebit, sipas burimeve zyrtare të Zagrebit.
Problematike është se përveç "Reenvi 2", në ujërat kroate vijnë edhe "Reenvi" e "Reenvi 3". Të gjitha lundrojnë me flamur shqiptar, edhe pse nuk dihet pronësia e tyre. "Reenvi 2", deri në vitin 2000 quhej "Arbi". Në 42 vitet e jetës së saj, kjo anije ka ndërruar emrin 11 herë. Kur ndaloi për herë të fundit në Marsejë, u konstatua se në të nuk kishte as pajisje për shpëtimin e ekuipazhit, që përbëhej nga nëntë anëtarë dhe në kuvertë kishte gjurmë serioze ndryshku. Kjo anije ka qenë e fundosur në një port anglez në vitin 1989, por anglezët e nxorën dhe e riparuan.
"Reenvi 2" ka gjatësi 62 metra, gjerësi 10 metra dhe kapacitet mbajtës 1063 tonë. Në vitin 1993, ndërsa lundronte në Atlantik, ngeci në cekëtinë në Portin San Juan në Portoriko. Një përplasje e ngjashme si kjo mes anijes shqiptare dhe peshkarexhës kroate ka ndodhur edhe më 19 dhjetor 2002, kur në ujërat e Shibenikut u përplas anija shqiptare e mallrave "Frojdi I", me peshkarexhën "Zornica", e cila me këtë rast u fundos. Kapitenët e dy anijeve u dënuan, sepse notonin jashtë korridoreve të përcaktuara për lundrim.