E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjan Pisha: I lumtur që u riktheva në kombëtare

Vetëm disa ditë më parë, trajneri kroat i kombëtares shqiptare, Oto Baric shpalli listën me 23 futbollistët që ai përzgjodhi për të marrë pjesë në ndeshjen miqësore të 16 gushtit kundër San Marinos. Duhet thënë se në atë listë, kroati nuk bëri ndonjë ndryshim të madh në krahasim me futbollistët që thërriste edhe paraardhësi i tij Brigel. Ndërkohë që 74-vjecari riktheu në ekip, disa futbollistë, si mesfushorin Devi Muka, mbrojtësat Erion Xhafa dhe Arjan Pisha. Pikërisht për rikthimin e tij në ekipin përfaqësues flet mbrojtësi i Tiranës duke u shprehur se ndihet shumë mirë që do ta veshë sërish fanellën kuqezi dhe premton se do të jetë gjithmonë i gatshëm për trajnerin Baric."Për mua gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një nder që thirrem në ekipin përfaqësues të vendit tim. Unë e kam provuar edhe më parë fanellën kuqezi dhe është një emocion i vecantë kur e vesh atë. Tashmë që jam rikthyer sërish në kombëtare ndihem shumë mirë. Mund të them se do të jap maksimumin tim sa herë që të jem në fushë dhe do të jem i gatshëm gjithmonë për përfaqësuesen kurdoherë që të më thërrasë trajneri Baric. Përsa i përket ndeshjes kundër San Marinos mund të them se nëse do të jem në fushë do të bëj më të mirën dhe shpresojmë që të dalim me fitore nga stadiumi" përfundoi prononcimin e tij mbrojtësi i krahut, Pisha. Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe San Marinos do të luhet më 16 gusht në shtetin e vogël.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›